Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, i bëri publikisht thirrje VLEN-it që në raundin e dytë të zgjedhjeve në Bërvenicë të mbështesë kandidatin e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Arkin Jahijin.
Të lidhura
None found
Gjatë emisionit të sotëm në mbrëmje “Debat në Shenja”, Taravari tha se Aleanca për Shqiptarët është e gatshme të përfshihet aktivisht në përkrahje të Jahijit. Ai propozoi që në raundin e dytë të hiqen banderolat partiake dhe të mos zhvillohen fushata të ndara.
Sipas Taravarit, Jahiji me siguri do të kalojë në raundin e dytë. Ai e ftoi VLEN-in që, së bashku me Aleancën për Shqiptarët, të heqë banderolat e AKI-së dhe të angazhohet në mbështetje të kandidatit, ashtu siç kishte vepruar Aleanca vitin e kaluar për Haqim Ramadanin. Taravari tha se synimi është që e gjithë vëmendja të përqendrohet te Jahiji, në mënyrë që komuna të drejtohet nga një kuadër me përvojë institucionale.
Taravari foli edhe për takimin me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. Ai bëri të ditur se, afërsisht një javë ose 10 ditë më parë, drejtuesit e ngushtë të Aleancës për Shqiptarët dhe BDI-së zhvilluan një takim për të bashkërenduar aktivitetet lidhur me zgjedhjet lokale në Bërvenicë. Bisedën, ku u trajtuan çështje organizative, ai e cilësoi konstruktive.
Duke iu referuar votimeve të 11 janarit në Gostivar dhe Vrapçisht, Taravari vlerësoi se rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve të vitit 2026 përbëjnë një nisje të suksesshme për Aleancën Kombëtare për Integrim.
