Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se ishte e domosdoshme që Kuvendi të miratonte një deklaratë për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të lidhura
None found
Gjatë emisionit “Debat Plus”, në një intervistë me moderatorin Ermal Panduri, Haxhiu vlerësoi se deklarata ka rëndësi jo vetëm për aktualitetin, por edhe për të ardhmen, pasi brezat e rinj duhet të njihen me qëndrimin e këtij institucioni ndaj vendimit.
“Pas vendimit të padrejtë, ka qenë shumë e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës ta thotë fjalën në raport me këtë aktgjykim. Ndoshta jo vetëm në rrethanat e sotme, por edhe pas shumë vitesh, kur të flasim për një vendim të tillë, të rinjtë dhe të rejat e Republikës së Kosovës të dinë se cili ka qenë roli i Kuvendit”, deklaroi Haxhiu.
Ajo foli edhe për kritikat që lidhen me vonesën e Kuvendit në mbledhjen dhe miratimin e deklaratës. Sipas saj, institucioni ndodhej në një situatë të kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, njësoj si Qeveria.
“Kemi vlerësuar se duhet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk ka pasur masë kushtetuese”, tha ajo.
Haxhiu u ndal edhe te klima publike pas aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke theksuar se në debatet televizive dhe në rrugë ishte shfaqur tension dhe gjuhë nxitëse.
“E kam konsideruar të rëndësishme që të kalojnë disa ditë dhe pastaj të arrijmë në Kuvend, të dakordohemi për një deklaratë të tillë, e cila është shprehje e vullnetit politik të Kuvendit të Kosovës”, u shpreh Haxhiu.
Ajo sqaroi se dokumenti i miratuar nuk prodhon pasoja juridike, por mbart rëndësi politike, veçanërisht për mesazhin e përbashkët dhe unitetin e treguar nga partitë parlamentare.
“Nuk ka peshë juridike, por është e rëndësishme të përcjellim një mesazh dhe të dëshmojmë se të gjitha grupet parlamentare – Lëvizja Vetëvendosje, PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe pakicat joshumicë – kemi arritur të bëhemi bashkë dhe ta miratojmë një deklaratë”, deklaroi Haxhiu.
