36-vjeçari i arrestuar për drogë shkon në gjykatën e Beratit zbathur dhe i gjakosur: Më rrahën brutalisht! (VIDEO)

I arrestuar për drogë, 36-vjeçari në gjykatën e Beratit zbathur dhe i gjakosur: Policët më rrahën në banesë dhe në paraburgim për të pranuar akuzën

Një i ri 36-vjeçar nga Berati, i arrestuar per trafik droge, ka akuzuar Policinë se ka përdorur dhunë kundër tij në komisariat me qëllim pranimin e akuzave.

Ai është paraqitur pranë ambienteve të Gjykatës në një gjendje të pazakontë, gjendje e cila, deri në njëfarë mase i vërteton akuzat e të pandehurit.

I zbathur, i gjakosur, duke ecur çalë-çalë dhe me gisht të thyer ka mbërritur në gjykatën e Beratit 36-vjeçari, teksa ka akuzuar për dhunë policët e Skraparit.

Lulzim Shallari i arrestuar 3 ditë më parë në fshatin Grevë në Skrapar për kultivim të bimëve narkotike, pasi disa fidanë kanabisi u gjetën në një zonë të pyllëzuar, ka dalë sot par Gjykatës për masën e sigurisë, por nuk e ka pranuar akuzën.

Ai ka deklaruar se nuk kishte dijeni për parcelën e kultivuar dhe nuk ishte autori i kultivimit. Prokuroria e Beratit ka kërkuar për 36-vjeçarin masën e sigurisë burg pa afat, ndërsa gjyqtarja Lutfie Çelani ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg me afat 30-ditë”, kohë e mjaftueshme sipas gjyqtares që prokuroria të sigurojë provat e mjaftueshme për të akuzuarin.

36-vjeçari ka hyrë në Gjykatën e Beratit me shenja dhunë dhe i gjakosur, ai ka hyrë me këmbë të copëtuar dhe të gjakosur dhe me gisht të thyer. Sapo ka dalë nga salla e gjyqit, Shallari ka deklaruar se është dhunuar nga efektivët e policisë së Skraparit. Shallari ka deklaruar se është dhunuar edhe gjatë arrestimit të tij në banesë por edhe gjatë 72 orëve të qëndrimit në paraburgim, vetëm për të pranuar autorësinë e krimit.

 


Shtuar 14.08.2021 13:32