Të dielën, në Vjenë, do të aplikohen masa të zgjeruara sigurie përpara përballjes së Ligës së Kombeve mes Austrisë dhe Kosovës, e planifikuar të zhvillohet në stadiumin “Ernst Happel”.
Të lidhura
None found
Sipas mediumit austriak 5 Minuten, Drejtoria e Policisë së Vjenës ka përcaktuar një zonë të gjerë sigurie rreth stadiumit, e cila do të jetë aktive nga ora 10:00 deri në 22:00. Për shkak të kontrolleve të imtësishme, tifozëve u është kërkuar të llogarisin kohë shtesë për të hyrë në stadium.
Hapësira e kufizuar nuk përfshin vetëm zonën pranë “Ernst Happel”, por shtrihet edhe në Krieau, Olympiaplatz, Stadioncenter, zonën e Stadionbad dhe Hauptallee. Gjatë kësaj periudhe, policia do të mund të largojë dhe t’u ndalojë hyrjen në zonë personave që dyshohen se mund të përfshihen në veprime të dhunshme.
Shkelja e ndalimit të hyrjes dënohet me gjobë deri në 1,000 euro. Në rast përsëritjeje, masa financiare mund të shkojë deri në 4,600 euro, ndërsa për personat që nuk kanë mundësi ta paguajnë gjobën parashikohet burgim zëvendësues deri në katër javë.
Kontrolle të forta do të kryhen edhe në portat hyrëse të stadiumit. Tifozët do t’i nënshtrohen kontrollit të veshjeve dhe çantave, ndërsa mospranimi i procedurës do të sjellë përjashtimin nga stadiumi. Sipas raportimit, nëse rrethanat e kërkojnë, ky përjashtim mund të realizohet edhe me forcë.
Mbajtësit e biletave duhet të kenë parasysh se personat të cilëve u mohohet hyrja për shkak të refuzimit të kontrollit nuk do të përfitojnë kompensim për çmimin e biletës nga qeveria federale.
Austria dhe Kosova do të përballen të dielën, më 27 shtator, në stadiumin “Ernst Happel”. Takimi nis në orën 19:00.
