Qytetarët në Prishtinë kanë zhvilluar ditën e dhjetë të protestës para institucioneve të Kosovës, duke kërkuar mbështetje institucionale për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Të lidhura
None found
Edhe reshjet e shiut nuk i ndalën protestuesit, të cilët u mblodhën sërish për të përcjellë kërkesat e tyre. Ata kërkuan nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë ligjin për Gjykatën Speciale, i cili tashmë është dërguar në Kuvend.
Çlirim Haziri, organizator i protestës, tha se qytetarët kanë dhjetë ditë që po kërkojnë dhe presin një reagim institucional, ndërsa sipas tij, kërkesat e tyre janë tashmë të qarta.
Haziri deklaroi se projektligji është dorëzuar në Kuvend dhe se çdo deputet duhet të votojë sipas bindjes së tij, por theksoi se votimi nuk mund të shtyhet pafundësisht.
“Sot bëhen dhjetë ditë që jemi mbledhur këtu, kemi folur, kemi kërkuar dhe kemi pritur. Edhe sonte, pavarësisht shiut, jemi sërish këtu. Kërkesa jonë dihet: ligji është dërguar në Kuvend dhe secili deputet le ta japë votën sipas bindjes së vet, por ai duhet të votohet. Nuk mund ta mbani këtë çështje pezull dhe t’i lodhni njerëzit. Nëse është e nevojshme, ne do të jetojmë në shesh; por nëse kjo ndodh, ku do të jetoni ju? Mos harroni se, nëse ne qëndrojmë këtu, ju nuk mund të qetësoheni duke menduar se heshtja do t’i mbyllë këto çështje. UÇK-ja nuk është pjesë e politikës së ditës, siç u shpreh edhe ministrja e Drejtësisë. Ajo është historia falë së cilës sot kemi institucione dhe ministra, ndaj kjo histori meriton mbështetje institucionale, jo heshtje”, tha Haziri.
Gjatë protestës foli edhe studentja Anisa Rukiqi. Ajo tha se drejtësia përbën një bazë të rëndësishme për lirinë dhe dinjitetin e një populli, ndërsa rrëfeu se qëndrimi i saj lidhet edhe me historinë e familjes, pasi gjyshi i saj është vrarë gjatë luftës.
Rukiqi u shpreh se për luftën nuk ka mësuar vetëm nga librat, por edhe përmes dhimbjes së familjes së saj.
“Drejtësia është themeli mbi të cilin ndërtohen liria, dinjiteti dhe e ardhmja e një populli. Sot, përballë këtij vendimi absurd ndaj çlirimtarëve tanë, po përballemi me paradoksin më të madh: ata që morën armët për ta mbrojtur një popull nga shfarosja, duke na mundësuar të jetojmë të lirë, sot dënohen nga një drejtësi e ashtuquajtur. Unë kam gjyshin martir, i cili u vra në oborrin e shtëpisë. Prandaj luftën nuk e njoh vetëm nga librat, por edhe nga dhimbja që ka përjetuar familja ime”, deklaroi ajo.
Këngëtarja Violetë Kukaj, e cila gjithashtu mori fjalën, tha se tubimi lidhet me një kauzë që duhet të vazhdojë të mbështetet edhe në ditët e ardhshme.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar për të mbrojtur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Jemi mbledhur për kauzën tonë, jo vetëm sot, por edhe në vazhdim duhet të jemi gjithmonë bashkë për të mbrojtur të drejtën tonë dhe luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Kukaj.
