Ekipi kombëtar shqiptar i moshës nën 21 vjeç po vazhdon ciklin përgatitor për Kampionatin Europian të vitit 2027 me një tjetër takim miqësor. Skuadra e drejtuar nga trajneri Alban Bushi do të ndeshet me përfaqësuesen e Ukrainës U-21 më 5 tetor, duke filluar nga ora 15:30, në impiantin sportiv “Szentmarjay Tibor Városi Stadion” që ndodhet në Eger, Hungari.
Të lidhura
None found
Faza përgatitore e lojtarëve do të fillojë në kryeqytetin shqiptar më 28 shtator, ndërsa tekniku Bushi ka bërë publike listën me 21 futbollistët e thirrur për këtë sfidë.
Në këtë përzgjedhje vihen re katër fytyra të reja, dy prej të cilëve vijnë direkt nga Kombëtarja U-19. Bëhet fjalë për Mattia Huqin dhe Gabriel Kullën, që marrin ftesën e parë në këtë grupmoshë. Gjithashtu, për herë të parë i bashkohen kuqezinjve edhe dy mbrojtësit Numan Ajetovikj, që aktivizohet me Egnatian, dhe Omer Bajraktari, pjesë e klubit të Malishevës, të cilët kanë vendosur të mbrojnë ngjyrat e Shqipërisë.
Përballja me Ukrainën hyn në kuadër të një serie ndeshjesh përgatitore që Kombëtarja U-21 po zhvillon në funksion të pjesëmarrjes në finalet e Europianit 2027, turne ku Shqipëria do të marrë pjesë automatikisht si një prej shteteve pritëse.
