Janë zbardhur mesazhet mes ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni, e cila dje u la në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, me biznesmenin Ergys Agasi, i arrestuar disa javë më parë për aferën e AKSHI-t pas disa muajsh që ishte në arrati.
Në shkelje të hapur me detyrën, gjë që konfirmohet dhe nga vetë SPAK, Hyseni raportonte te Agasi për lëvizjet dhe takimet e saj të punës, duke shkelur sekretet hetimore.
Të lidhura
None found
Por jo vetëm kaq, teksa paralajmëronte për rrezikun që të dy i kanoste, ish-kreu i SHISH shkonte më larg, duke kërcënuar se ata që u kishin bërë keq do e paguanin.
“Nga përmbajtja e komunikimeve mes tyre rezulton ekzistenca e një lidhjeje personale dhe e vazhdueshme, e cila ka vijuar edhe gjatë kohës kur shtetasi Ergys Agasi ka qenë i shpallur në kërkim nga drejtësia.
Në disa prej komunikimeve, shtetasja Vlora Hyseni identifikohet drejtpërdrejt me interesat e Ergys Agasit kundrejt organeve të drejtësisë që po e ndiqnin penalisht, duke përdorur shprehje si;
“Krejt këta njerëz që na kanë bërë çka na kanë bërë dua që të paguajnë”. “Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot..
“Të gjithë ne”.
“Do përfundojmë keq, shpirt”.
Këto komunikime, të vlerësuara në tërësinë dhe në kronologjinë e tyre, tregojnë jo thjesht një lidhje personale, por identifikimin e shtetases Vlora Hyseni me qëndrimin dhe interesat e personit nën hetim ndaj procedimit penal që zhvillohej kundër tij, si dhe gatishmërinë e saj për t’i qëndruar pranë e për ta ndihmuar gjatë kohes që ai ishte në kërkim, duke vënë kështu në dispozicion cilësinë e saj zyrtare dhe kapacitetet institucionale qe drejton.
Në këtë linjë veprimi ajo shpreh jo vetëm solidaritet, por edhe gatishmërinë për ta ndihmuar. Në një bisedë mes tyre, para arrestimit së shtetasit Ergys Agasi, ajo i Shkruan këtë mesazh: “Zemër thjesht duhet te koncentrohemi te halli jot Të gjithë ne”.
Shtetasja Vlora Hyseni, nga numri +38****** i dërgon mesazhin “Çfarë na bene o Zot”. Po kështu, në vijim të komunikimeve, në shkelje të rëndë të detyrës, Vlora Hyseni, tregon se do te takohet me Kryeministrin dhe sa kohë do rrijë tek ai.
“Po me presin me shku te km…. Jo mo zemer une nje ore nuk rri me shume me ate”.
Më datë 24.08 2026
Solidarizimi me personin në kërkim Ergys Agasi pasqyrohet edhe në mesazhet e datës 22.08.2026 ku Vlora Hyseni i shkruan: “Sa sh gjëra na kanë bërë ne…. Te gjitha shpirt… O shpirt. Kjo është një situatë që do ja hedhim… Problemi është koha… Sa konsistencë kemi.”.
Në vijim të komunikimeve, shtetasja Vlora Hyseni, ndan dhe informacion paraprak duke i shkruar personit nën hetim Ergys Agasi; “Taulant Balla kryetar Kuvendi…. Kështu janë infot… Bela me Taon shoku” (nënkuptohet deputeti Taulant Balla dhe deputetja Belinda Balluku)”, thuhet në dosjen hetimore.
