Burime pranë familjes Gerber kanë zbuluar se Presley dyshohet se vazhdonte të pajisej me receta për ketaminë nga një mjek, megjithëse luftën me varësinë ndaj kësaj substance e kishte të njohur. Kështu raporton TMZ, duke cituar të dhëna ekskluzive.
Të lidhura
None found
I biri 27-vjeçar i supermodeles Cindy Crawford dhe sipërmarrësit Rande Gerber humbi jetën të dielën e 20 shtatorit, brenda një qendre rehabilitimi në Los Angeles, vetëm një ditë pas shtrimit të tij në spital.
Sipas të njëjtave burime të TMZ-së, persona të afërt me të riun kanë pranuar se ai përballej me një “problem sistemik” me ketaminën. Ata janë shprehur të revoltuar që mjeku në fjalë dyshohet se nuk e ndërpreu përshkrimin e barit, edhe pse ishte në dijeni të varësisë së pacientit.
Njerëzit e afërt të Presley-t mendojnë se profesionisti shëndetësor duhet të mbajë përgjegjësi penale. Megjithatë, mbetet ende e paqartë nëse autoritetet kanë ndërmarrë hapa formalë në këtë drejtim.

Po ashtu, miq të tij të ngushtë kanë rrëfyer se modeli u ishte hapur rreth betejës me ketaminën përpara se të ndodhte tragjedia. Për momentin, nuk ka të dhëna mbi llojin e substancave që ai kishte në gjak në çastin fatal.
Edhe pse procedura e autopsisë ka marrë fund, autoritetet nuk kanë publikuar ende një përcaktim zyrtar për shkakun e vdekjes. Nga një regjistrim i thirrjes së urgjencës në 911, të siguruar nga Page Six, mësohet se Gerber pësoi arrest kardiak. Hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota janë në vijim.
Vdekja e tij erdhi një ditë pasi ai kishte kërkuar ndihmë dhe ishte regjistruar në një program rehabilitimi në Los Angeles. Pas konfirmimit të lajmit, familja e pikëlluar u bëri thirrje mediave të respektojnë privatësinë e tyre gjatë kësaj kohe të vështirë.
Presley kishte vite që luftonte me abuzimin e substancave dhe, sipas informacioneve, vendimi për t’u futur në qendrën e rehabilitimit erdhi nga një moment vetëdijësimi për gjendjen e tij.
Duke ndjekur rrugën e së ëmës në botën e modës që në moshën 15-vjeçare, ai kishte folur hapur më herët për betejat e brendshme, mungesën e vetëbesimit dhe ciklin e varësisë ndaj lëndëve narkotike.
Gjatë viteve të fundit, Gerber kishte zgjedhur të ndante me publikun eksperiencat e tij personale, në një përpjekje për t’u përballur me sfidat dhe për të gjetur mbështetjen e duhur.
