Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, zhvilloi dje në Nju-Jork bisedime të ndara me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandër Vuçiq.
Të lidhura
None found
Gjatë këtyre takimeve, ajo përcolli qëndrimin e Bashkimit Evropian se është thelbësore të avancohet procesi i normalizimit midis palëve.
“Bashkimi Evropian do të ruajë rolin e një ndërmjetësi të paanshëm,” deklaroi Kallas, duke shtuar se “lehtësimi i dialogut nuk mund të zëvendësojë vullnetin politik në Beograd dhe Prishtinë.”
Ajo nënvizoi detyrimin për të vënë në jetë marrëveshjet e dakorduara në kuadër të dialogut, duke veçuar në mënyrë të posaçme atë të Ohrit.
“Zbatimi i këtyre marrëveshjeve nuk përbën një favor për Brukselin, por një detyrim ndaj qytetarëve të tyre dhe një rajoni që aspiron marrëdhënie normale,” theksoi përfaqësuesja e lartë.
Ajo rikonfirmoi se ecja përpara drejt integrimeve evropiane dhe normalizimi i raporteve duhet të ecin paralelisht.
Në përmbyllje të mesazhit të saj, Kallas u shpreh se tashmë ka ardhur çasti për të hedhur hapa konkretë drejt së ardhmes.
