Rritja e ekspozimit ndaj rreziqeve natyrore, veçanërisht zjarreve në pyje, përmbytjeve dhe motit ekstrem, ka nxjerrë në pah mangësitë e sistemit të mbrojtjes dhe shpëtimit në Maqedoni. Sipas raportit të Entit Shtetëror të Auditimit, vendi nuk disponon gjithmonë përgatitjen e nevojshme strategjike, institucionale dhe operacionale për t’u përgjigjur në mënyrë efikase ndaj fatkeqësive.
Të lidhura
None found
Kontrollet e auditorëve evidentuan probleme në planifikimin strategjik, bashkërendimin ndërinstitucional dhe administrimin e burimeve. Po ashtu, u konstatua se kapacitetet njerëzore dhe materiale janë të pamjaftueshme, ndërsa investimet për modernizimin dhe pajisjet mbeten të kufizuara.
Zjarret në pyje renditen ndër rreziqet më të mëdha të fatkeqësive, edhe për shkak të ndikimit të ndryshimeve klimatike. Të dhënat e Raportit të Hershëm të vitit 2024 për Zjarret në Pyje në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, hartuar nga Qendra e Përbashkët Kërkimore e Komisionit Evropian në kuadër të Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), tregojnë se në Maqedoni gjatë vitit 2024 u dogjën 97.660 hektarë. Kjo është sipërfaqja më e madhe e regjistruar në dekadën e fundit dhe tejkalon totalin e sipërfaqeve të djegura në gjashtë vitet paraardhëse së bashku. Të dhënat janë mbledhur përmes vëzhgimeve satelitore të programit Copernicus.
Ndërkohë, të dhënat e NP “Pyjet Kombëtare” tregojnë se nga viti 2023 deri në vitin 2025 u dogjën 82.714 hektarë sipërfaqe. Në këtë periudhë u shkatërruan gjithashtu 914.657 m³ masë druri, ndërsa dëmet financiare arritën në 133.663.967 euro. Vetëm gjatë vitit 2024, dëmi u përllogarit në 83.121.333 euro.
Mangësitë e sistemit dhe nevoja për reforma ishin evidentuar edhe në vlerësimin e kryer nga BE-ja përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile në vitin 2018. Megjithëse më pas janë ndërmarrë disa iniciativa, deri në momentin e auditimit reformat nuk ishin zbatuar. ESHA konstatoi gjithashtu se nuk është miratuar një strategji kombëtare për mbrojtjen dhe shpëtimin, e cila do të përcaktonte objektivat dhe prioritetet që do të ishin në fuqi deri në vitin 2018./Telegrafi/
