Çështja e Granit Xhakës ka marrë përmasa të gjera në Zvicër dhe jashtë saj, pasi kapiteni i kombëtares zvicerane ka pranuar se kishte siguruar një certifikatë të falsifikuar vaksinimi kundër COVID-19.
Të lidhura
None found
Mediat zvicerane i kanë kushtuar hapësirë të madhe kësaj ngjarjeje, ndërsa lajmi është përcjellë edhe nga disa prej mediumeve më të mëdha ndërkombëtare, përfshirë “BBC”, “Reuters” dhe “The Guardian”.
Sipas raportimeve, “Blick” ishte mediumi që javën e kaluar njoftoi se Prokuroria Publike e Lucernit kishte nisur hetimet ndaj Xhakës lidhur me dyshimet për certifikatën e falsifikuar të vaksinimit.
Mediumi zviceran bën me dije se Xhaka pritet të merret në pyetje nga autoritetet në fillim të muajit të ardhshëm.
Të hënën, Xhaka e konfirmoi vetë përmes një postimi në Instagram se e kishte siguruar certifikatën, duke e quajtur veprimin gabim dhe duke kërkuar falje.
Pranimi i tij e ka çuar diskutimin në mediat zvicerane në një nivel tjetër, ku tani analizohen edhe pasojat e mundshme të këtij rasti.
Sipas “Blick”, deklarata e Xhakës ka shkaktuar reagime të ndryshme te lexuesit e tij. Disa kanë kërkuar pasoja për kapitenin e Zvicrës, duke përfshirë edhe largimin nga kombëtarja, ndërsa të tjerë e kanë përshëndetur faktin që ai foli hapur dhe mori përgjegjësi.
Edhe “SRF” i ka kushtuar një analizë më vete çështjes, duke shtruar pyetjen nëse Xhaka mund të vazhdojë ta mbajë shiritin e kapitenit të Zvicrës. Mediumi zviceran vëren se rasti mund të ketë pasoja juridike, ndërsa e ardhmja e tij me përfaqësuesen pritet të diskutohet pas përfundimit të këtij grumbullimi.
Po njësoj, “20 Minuten” ka ngritur dilemën nëse Xhaka është ende i denjë për shiritin e kapitenit të Zvicrës.
“Bluewin” ka rikujtuar gjithashtu raste të tjera të sportistëve që kanë shfrytëzuar certifikata të falsifikuara vaksinimi kundër COVID-19, si dhe ka trajtuar dënimin e mundshëm që mund t’i shqiptohet Xhakës.
Bazuar në raportimet e mediave zvicerane, nëse shpallet fajtor, Xhaka mund të dënohet me gjobë financiare ose, në rrafsh teorik, edhe me burgim deri në pesë vjet. Sidoqoftë, mediat që e kanë analizuar çështjen e vlerësojnë burgimin si një mundësi shumë të ulët.
Ndërkohë, rasti ka kaluar edhe kufijtë e Zvicrës.
“Reuters” ka raportuar se Xhaka është lënë jashtë grumbullimit të Zvicrës pasi pranoi se kishte siguruar një certifikatë të falsifikuar vaksinimi. Agjencia ndërkombëtare ka theksuar po ashtu se Federata Zvicerane e Futbollit dhe Xhaka kanë rënë dakord që ai të mos bëhet pjesë e këtij grumbullimi, ndërkohë që situata do të rishikohet pas ndeshjeve të ardhshme.
Edhe “The Guardian” e ka pasqyruar gjerësisht ngjarjen, duke njoftuar se Xhaka do të mungojë në katër ndeshjet e ardhshme të Zvicrës në Ligën e Kombeve dhe se Prokuroria e Lucernit po shqyrton nëse veprimet e tij përbëjnë vepër penale të lidhur me falsifikimin e dokumenteve.
“BBC” ka shkruar gjithashtu për hetimin ndaj kapitenit të Zvicrës, duke e vendosur rastin në vëmendjen e mediave sportive evropiane.
Në gjithë këtë jehonë mediatike, Federata Zvicerane e Futbollit ka konfirmuar se Xhaka nuk do të jetë pjesë e grumbullimit të këtij muaji.
Kombëtarja zvicerane u mblodh të hënën në Belek të Turqisë, ndërsa Xhaka ka mbetur në Angli. Ai do të mungojë në katër ndeshjet e radhës të Ligës së Kombeve.
Presidenti i Federatës Zvicerane të Futbollit, Peter Knabel, ka bërë të ditur se vendimi është marrë bashkërisht me Xhakën dhe se situata do të rishqyrtohet pas përfundimit të kësaj pauze ndërkombëtare.
Federata ka nënvizuar se për momentin përparësi ka qetësia në ekip dhe fokusimi te ndeshjet e ardhshme.
Ndërkaq, mediat zvicerane vazhdojnë të analizojnë se çfarë mund të ndodhë me Xhakën pas hetimeve.
Kapiteni i Zvicrës është bërë qendra e një prej diskutimeve më të mëdha që e kanë përfshirë vitet e fundit, ndërkohë që vëmendja tani pritet të përqendrohet te hetimet e autoriteteve dhe te vendimi për të ardhmen e tij me përfaqësuesen.
