Vetëm dhjetë ditë pasi u inaugurua nga bashkia, ura që lidh fshatin Ketë të Klosit me Rrugën e Arbrit, është shembur pas shirave të parë të vjeshtës. Si pasojë, banorët kanë mbetur të izoluar dhe fëmijët nuk mund të shkojnë në shkollë.
Ndërtimi i urës ishte kërkuar me këmbëngulje nga banorët që në dhjetor të vitit 2025. Punimet u kryen nga kompania “Bajrami N sh.p.k”, me pronare Anduena Bajramin, ndërsa Bashkia Klos ia besoi mbikëqyrjen e projektit kompanisë “TRIANGLE”, me zotërues Zenulla Mehmetin.
Të lidhura
None found
Investimi për ndërtimin e urës së fshatit Ketë kap rreth 40 milionë lekë. Shembja e saj, menjëherë pas përurimit, ka ngritur pikëpyetje të forta mbi procesin e kolaudimit dhe mënyrën e përdorimit të fondeve publike.
Kryebashkiakja e Klosit, Valbona Kola, e kishte paraqitur urën si një investim të rëndësishëm për komunitetin. Në një postim të publikuar në rrjetet sociale ditën e inaugurimit, ajo premtonte një infrastrukturë më të sigurt e funksionale, që do të përmirësonte jetën e banorëve.
Pas shembjes së urës, e cila ndodhi 3 ditë më parë, postimi u fshi menjëherë, ndërsa ngjarja vijon të mbetet përtej algoritmeve të rrjeteve sociale.
