Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë vendgrumbullimin e mbetjeve në Fushë-Krujë, ku flakët janë shtrirë në të gjithë sipërfaqen e zonës. Përmasat e zjarrit e kanë vështirësuar punën e forcave zjarrfikëse, ndërsa dyshimet e para janë se ai mund të jetë shkaktuar qëllimisht.
Flakët vijojnë të jenë aktive, por deri tani nuk raportohet rrezik për banesat që ndodhen pranë vendgrumbullimit. Për shkak të natyrës së mbetjeve, ndërhyrja me mjete zjarrfikëse paraqet vështirësi. Në terren po përdoret edhe një fadromë, e cila mbulon mbeturinat me dhe.
Të lidhura
None found
Mbulimi me dhé shërben për izolimin e vatrave dhe ndihmon në neutralizimin e zjarrit. Reparti zjarrfikës ndodhet në vendngjarje, ku po ndjek situatën dhe po punon për të frenuar përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Një sasi e madhe tymi është përhapur në zonat përreth. Në varësi të drejtimit të erës, reja e dendur ka lëvizur drejt Kamzës dhe Mamurrasit, duke shkaktuar shqetësim te banorët.
Sipas të dhënave paraprake, kjo nuk është hera e parë që vendgrumbullimi përfshihet nga zjarri. Brenda dy muajve, në të njëjtën zonë janë shënuar disa raste të përsëritura.
Shkaku i zjarrit do të përcaktohet pas verifikimeve, ndërsa pista paraprake mbetet ajo e një zjarrvënieje të qëllimshme.
