Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, akuzoi kryeministrin Edi Rama se, prej 12 ditësh nuk ka dhënë asnjë shpjegim për audiopërgjimet e publikuara nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.
Në këto regjistrime, shtetasi izraelit Ron Yeffet paraqitet si koordinatori i linjave korruptive të pushtetit.
Të lidhura
None found
Këlliçi deklaroi se bisedat e përgjuara nxjerrin në pah një skemë të re inkriminimi, ku flitet për trafik ndërkombëtar armësh, ndërhyrje në tenderat publikë dhe ndikim mbi vendimmarrjen e disa ministrave të kabinetit qeveritar.
Sipas përfaqësuesit të opozitës, mazhoranca nuk pranoi krijimin e një komisioni hetimor parlamentar, pasi i druhet zbulimit të rrjetit të sekserëve që administron fondet dhe projektet strategjike të Shqipërisë.
Ai tha se, megjithëse Rama reagoi duke penguar hetimin parlamentar të kërkuar nga Partia Demokratike, vijon të mendojë se nuk i detyrohet publikut asnjë sqarim.
Deputeti demokrat u shpreh se një hetim nga Kuvendi do të zbulonte mekanizmin korruptiv dhe kriminal që, sipas tij, kryeministri ka ngritur përmes disa koordinatorëve të punëve të pista.
Këlliçi përmendi Gysin për një sektor, Ronin për disa ministri dhe Sanielin, i cili, siç deklaroi ai, pritet së shpejti të marrë rolin e koordinatorit të shëndetësisë.
Në vijim të deklaratës, Këlliçi iu referua komunikimeve të Yeffet me biznesmenë të huaj.
Sipas tij, shtetasi izraelit anashkalonte procedurat ligjore shtetërore dhe përdorte personelin e Kryeministrisë, ndërsa ekzekutivi vazhdon të mos distancohet prej tij.
Këlliçi tha se miku izraelit i Edi Ramës, u kishte deklaruar partnerëve ukrainas se ishte caktuar nga kryeministri për të realizuar punët e pista.
Sipas deputetit, Yeffet u kishte vënë në dispozicion edhe ndihmësin e kryeministrit, Ermal Rraketa, në periudhën kur ky i fundit punonte në Kryeministri dhe ende nuk ishte bërë ministër.
Po sipas Këlliçit, Yeffet u kishte thënë bashkëbiseduesve të mos shqetësoheshin për tenderat, pasi ai mund t’i zhvillonte procedurat sipas dëshirës së tij.
Gjithashtu, u kishte kërkuar të mos dërgonin shkresa zyrtare në ministri, duke pretenduar se përgjigjet do t’i jepte vetë.
Deputeti i PD-së shtoi se kompania ukrainase i ka konfirmuar tashmë këto biseda përmes avokatit të saj, por është distancuar nga Ron Yeffet, duke bërë të ditur se nuk ka më lidhje me këtë spekulant.
Sipas Këlliçit, i vetmi që ende nuk ka ndërmarrë të njëjtin hap është Edi Rama, pasi Yeffet ka ende punë për të përfunduar dhe në lojë është Aeroporti i Vlorës.
