Parlamenti miratoi pas mesnate me 84 vota pro, 24 kundër dhe 1 abstenim projektligjin e PS-së për pagat e magjistratëve, që parashikon rritjen e pagës referuese me rreth 8,500 lekë.
I pranishëm në seancë ishte edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa mungoi kreu i demokratëve, Sali Berisha.
Të lidhura
None found
Projektligji u kundërshtua nga institucionet e drejtësisë dhe opozita, të cilat theksuan se nuk respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Opozita e cilësoi si një puç kushtetues, ndërsa në nisje të seancës plenare ditën e djeshme, kërkoi që të hiqej edhe nga rendi i ditës dhe të mos votohej.

Formula e miratuar me votat e socialistëve nuk përmbush kërkesën e magjistratëve për një rritje prej rreth 80 mijë lekësh, që u miratua nga KLGJ dhe KLP.
Qeveria ka përllogaritur edhe 1.5 miliardë lekë detyrime të prapambetura nga prilli 2023, të cilat do të shlyhen me këste brenda dy viteve.
Kujtojmë që ngërçi për pagat në sistemin e drejtësisë kulmoi pasi Parlamenti nuk miratoi deri më 31 korrik formulën e re të pagave, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese.
Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP vendosën që nga 1 gushti paga referuese të llogaritej mbi 222 mijë e 425 lekë, plus 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin.
Ministria e Financave nuk i ekzekutoi listëpagesat me këtë përllogaritje, duke argumentuar se përcaktimi i pagave është kompetencë e Kuvendit.
