Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, ka reaguar përsëri një ditë pas vendimit të marrë në Hagë, me të cilin babai i tij u dënua me 25 vjet burg.
Të lidhura
None found
Në reagimin e tij, Altini përcolli një thënie të të atit dhe u shpreh se aktgjykimi i djeshëm ia theu familjes besimin te drejtësia.
Ai shkroi se njeriu është më i fuqishëm se guri, pasi mund të përballojë edhe atë që guri nuk arrin ta mbajë, duke theksuar se tashmë e kuptonte sa e vërtetë ishte kjo fjalë e babait të tij.
Altini tha se jeta ishte treguar e padrejtë me Jakup Krasniqin, por se ai kishte vazhduar të qëndronte me kokën lart. Sipas tij, edhe pas gjashtë vjetësh pritjeje dhe dhimbjeje, familja nuk e kishte parë asnjëherë të dorëzuar.
Ai theksoi se vendimi nuk e kishte thyer të atin, por kishte këputur diçka brenda familjarëve dhe kishte rrënuar besimin e tyre në drejtësi.
Megjithatë, Altini u zotua se do të vazhdojnë të qëndrojnë, pikërisht ashtu siç i kishte mësuar babai i tij: me dhimbje në zemër, por gjithmonë me kokën lart.
