Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se Maqedonia e Veriut duhet t’i miratojë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, në mënyrë që të vijojë rrugëtimin drejt integrimit evropian.
Të lidhura
None found
Gjatë një interviste për “BNT”, Kos u pyet se si mund të ushtrohej ndikim mbi Shkupin për realizimin e këtyre ndryshimeve. Ajo shprehu bindjen se, në bashkëpunim me qeverinë e re bullgare, do të gjendet një zgjidhje për vazhdimin e procesit të Maqedonisë së Veriut.
Sipas saj, bashkëpunimi me ekzekutivin e ri të Bullgarisë po ecën shumë mirë dhe të gjitha palët, duke punuar së bashku, do të arrijnë ta çojnë përpara procesin që lidhet me Maqedoninë e Veriut.
Kos nënvizoi gjithashtu se Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet ta mbajë zotimin e dhënë dhe të ndërmarrë ndryshimin e Kushtetutës.
Ajo theksoi se ky detyrim është dakorduar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe të 27 vendeve anëtare të BE-së. Pas përmbushjes së tij, Kos tha se do të llogarisë në mbështetjen e Bullgarisë, në mënyrë që procesi me Maqedoninë e Veriut të mund të avancojë.
Duke folur për zgjerimin, komisionerja vlerësoi se Mali i Zi ndodhet më pranë anëtarësimit. Ndërkohë, për Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën po hartohen udhërrëfyes që përmbajnë hapa të mundshëm teknikë deri në përfundimin e mandatit të Komisionit Evropian, raporton Telegrafi.
