Ish-presidentja Vjosa Osmani ka publikuar komunikatën e LDK-së lidhur me vendimin e marrë në Hagë, duke theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet simboli më krenar i historisë moderne të popullit shqiptar.
Të lidhura
None found
Në postimin e saj thuhet se UÇK-ja do të mbetet e tillë “dje, sot e përjetësisht”.
Sipas deklaratës, Serbia gjenocidale vrau mbi 13 mijë njerëz gjatë luftës në Kosovë. Rreth 10 mijë prej viktimave ishin civilë të masakruar, ndërsa mbi 1500 persona vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur me dhunë dhe të prehen në varreza masive.
Komunikata nënvizon gjithashtu se dhunimet seksuale, torturat çnjerëzore, vrasjet e fëmijëve dhe krimet e tjera të rënda të kryera nga Serbia ende nuk kanë marrë përgjigje nga drejtësia ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, thuhet se Serbia vazhdon t’i mohojë këto krime dhe t’i shpërblejë autorët e tyre.
Sipas mesazhit, populli i Kosovës u ngrit për t’u përballur me këto krime dhe për të mbrojtur shtëpitë e tij. UÇK-ja përshkruhet si ushtria e popullit të Kosovës dhe si betimi i përgjakur i njerëzve të shtypur që synonin çlirimin e atdheut.
“Sot dhe përgjithmonë, do ta mbrojmë drejtësinë e luftës sonë çlirimtare. Shteti i pavarur e sovran i Kosovës është amaneti ynë i përbashkët”, përfundon deklarata.
