Rijadi kërkoi ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara kundër sulmeve të organizatës Houthi, por presidenti amerikan Donald Trump nuk e pranoi kërkesën.
Të lidhura
None found
Sipas raportimeve të mediave amerikane, princi saudit Mohammed bin Salman kontaktoi dy herë Trumpin brenda së njëjtës ditë.
Gjatë telefonatës së dytë, Bin Salman kërkoi drejtpërdrejt autorizimin e sulmeve ndaj Huthëve. Trump e refuzoi këtë mundësi, duke deklaruar se Uashingtoni do të ndihmonte me të dhëna nga shërbimet amerikane të inteligjencës, por nuk do të angazhohej ushtarakisht.
Shqetësimi kryesor i Arabisë Saudite lidhet me sigurinë e Detit të Kuq dhe të ngushticës Bab el-Mandeb, e cila përbën një nyje të rëndësishme për tregtinë dhe transportin e energjisë.
Të mbështetur nga Irani, Huthët kanë zgjeruar praninë e tyre përgjatë vijës bregdetare të Jemenit.
Kontrolli i Mocha-s dhe i ishullit Perim ka shtuar frikën se grupi mund të pengojë ose kërcënojë qarkullimin e anijeve në këtë zonë strategjike.
Rreziku për Riadin nuk kufizohet vetëm te transporti detar. Huthët kanë kërcënuar gjithashtu eksportet saudite të naftës, duke vënë në rrezik një prej rrugëve alternative të furnizimit, ndërsa tensionet me Iranin kanë ngritur pikëpyetje për kalimin përmes Hormuzit.
Një bllokim i Bab el-Mandebit do të kishte pasoja përtej Lindjes së Mesme, pasi nëpër këtë korridor kalon një pjesë e konsiderueshme e tregtisë globale dhe e furnizimeve me naftë.
Megjithatë, Trump nuk ka dhënë shenja se është i gatshëm të përfshihet në një tjetër front ushtarak.
Presidenti amerikan ka theksuar vazhdimisht se nuk dëshiron një konflikt të ri dhe ka sinjalizuar se synimi i tij kryesor është parandalimi i përshkallëzimit.
