Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e vlerësoi si zhvillim pozitiv përfundimin e seancës dhe konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Të lidhura
None found
Ai deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje do ta mbështesë Vlora Çitakun sapo Partia Demokratike e Kosovës ta propozojë për postin e nënkryetares së dytë të Kuvendit.
“Është mirë që Kuvendi u konstituua. Pozita e nënkryetarit të dytë të Kuvendit të Republikës së Kosovës i takon Partisë Demokratike të Kosovës dhe, në momentin kur ata të jenë të gatshëm ta propozojnë zonjën Vlora Çitaku, ne do ta votojmë menjëherë. I përgëzoj të gjithë për konstituimin e Kuvendit. Rreth tre muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, Kuvendi u konstituua për legjislaturën e tetë. Ndërkohë, vitin e kaluar u deshën tetë muaj nga mbajtja e zgjedhjeve deri në konstituimin e Kuvendit. Këtë herë periudha u shkurtua nga tetë në tre muaj. Sigurisht, do të ishte më mirë që procesi të përfundonte edhe më herët, por gjithsesi kjo është një arritje që tani duhet të pasohet nga formimi i qeverisë”, tha Kurti.
