Xh.I., i punësuar si ndihmësdrejtor në Sektorin e Administratës pranë Drejtorisë Doganore, është arrestuar nën dyshimin se kishte kërkuar mbi 15 mijë euro ryshfet për një tender në këtë drejtori.
Të lidhura
None found
Sipas të dhënave, Ministria e Punëve të Brendshme, përmes Byrosë së Sigurisë Publike, siguroi para të shënuara, të cilat më pas iu dhanë të dyshuarit.
Pasi mori shumën, ai nuk zbatoi urdhrat e policisë dhe u largua. Megjithatë, pas masave dhe veprimeve të ndërmarra, efektivët arritën ta kapnin dhe ta privonin nga liria.
MPB-ja e konfirmoi arrestimin e ndihmësdrejtorit të administratës në Drejtorinë Doganore, duke bërë të ditur se ai u kap me 17,500 euro ryshfet.
“Departamenti për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë në MPB po vepron në koordinim me prokurorin publik kompetent nga Prokuroria Publike për Parandalimin e Korrupsionit. Në kuadër të masave dhe aktiviteteve të zhvilluara, është privuar nga liria një person i punësuar si ndihmësdrejtor në Drejtorinë Doganore. Ai është kapur në momentin kur po merrte 17,500 euro, mjete të shënuara paraprakisht. Pas dokumentimit të plotë të çështjes, në Prokurorinë Publike për Parandalimin e Korrupsionit do të paraqitet kallëzimi përkatës penal”, njoftoi MPB-ja.
