GLPS kërkon kthimin në komision të projektligjit për Byronë e Konfiskimit

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës që Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme të mos miratohet në lexim të dytë dhe të rikthehet në Komisionin për Legjislacion për shqyrtim të mëtejshëm.

Në konferencën për media, përfaqësuesit e GLPS-së Blerina Istrefi dhe Liridon Salihu shprehën shqetësime për mënyrën e trajtimit parlamentar dhe përmbajtjen e projektligjit, i cili pritet të shqyrtohet të enjten në lexim të dytë.

Të lidhura

None found

Salihu tha se versioni aktual nuk i ka përfshirë gjetjet e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, përmbajtja nuk dallon në mënyrë thelbësore nga projektligji që kjo gjykatë e rrëzoi më 2023.

Salihu: Nuk ka dallime thelbësore me projektligjin e rrëzuar nga Kushtetuesja

Ai deklaroi se periudha ndërmjet dy leximeve ishte trajtuar më tepër si formalitet sesa si shqyrtim i hollësishëm i dispozitave. Salihu shtoi se, sipas vlerësimit të GLPS-së, projektligji vazhdon të përmbajë të gjitha dispozitat që Gjykata Kushtetuese i kishte rrëzuar më 2023 dhe se në përmbajtje nuk ka ndryshime thelbësore krahasuar me versionin e mëparshëm.

GLPS-ja ka evidentuar disa çështje problematike në projektligj, përfshirë zbatimin retroaktiv të afatit, pavarësinë funksionale të Byrosë, sigurinë juridike të qytetarëve, aspektin penal dhe barazinë e palëve gjatë procedurës.

Një ndër shqetësimet kryesore, sipas Salihut, është përcaktimi i 17 shkurtit 2008 si datë fillestare për verifikimin e pasurisë. Ai tha se Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që periudha e verifikimit të mos jetë më e gjatë se dhjetë vjet.

Salihu: Verifikimi i pasurisë të kufizohet në jo më shumë se 10 vjet

Salihu tha se GLPS-ja kërkon heqjen e këtij afati dhe zbatimin e rekomandimit të Gjykatës Kushtetuese, që periudha të mos kalojë dhjetë vjet nga hyrja në fuqi e ligjit.

Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për pavarësinë funksionale të Byrosë dhe rrezikun që ajo të shndërrohet në mjet politik.

GLPS-ja i bëri thirrje Kuvendit që të mos e kalojë projektligjin në lexim të dytë, por ta dërgojë sërish në Komisionin për Legjislacion.

Salihu: Projektligji të mos miratohet dhe të shqyrtohet sërish në komision

Salihu kërkoi që Kuvendi të mos e votojë projektligjin të enjten, kur miratimi në lexim të dytë është në rend dite, por ta kthejë në Komisionin për Legjislacion për sqarimin e çështjeve kontestuese që, sipas tij, cenojnë sigurinë juridike të qytetarëve.

Ai shtoi se GLPS-ja u ka bërë thirrje palëve të autorizuara që ta dërgojnë sërish projektligjin në Gjykatën Kushtetuese për kontestim, nëse miratohet me përmbajtjen aktuale.


Shtuar më 27.10.2026 11:23