Vullnet Gashi është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 1 vit e 4 muaj burgim, pasi u shpall fajtor për aksidentin fatal që i mori jetën profesorit Ferhat Bejtullahu.
Të lidhura
None found
Vendimi u bë publik të mërkurën nga gjyqtari Driton Berisha. Përveç burgimit, gjykata vendosi edhe t’ia marrë patentë-shoferin Gashit, duke i ndaluar pajisjen me leje të re drejtimi për një periudhë katërvjeçare.
Aksidenti ndodhi më 2 dhjetor 2023, në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë. Sipas aktakuzës së ngritur më 27 shkurt 2024 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Gashi drejtonte automjetin pa patentë-shofer dhe po lëvizte në shiritin e rezervuar për autobusë dhe taksi.
Prokuroria kishte argumentuar se i akuzuari nuk e kishte përshtatur shpejtësinë me kushtet e trafikut. Gjatë lëvizjes, pjesa e përparme e automjetit të tij e goditi Ferhat Bejtullahun, i cili po kalonte rrugën. Për shkak të plagëve të pësuara, Bejtullahu ndërroi jetë.
Në fjalën përfundimtare, prokurori Ardian Mehmeti kërkoi një dënim efektiv me burgim për Gashin. Ai nënvizoi se, para aksidentit, i akuzuari ishte dënuar 117 herë për kundërvajtje në trafik dhe se edhe në ditën e ngjarjes ishte në drejtim të automjetit pa patentë-shofer.
Gjatë shqyrtimit fillestar, Vullnet Gashi ishte deklaruar i pafajshëm.
Vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë nuk është përfundimtar, pasi palët kanë të drejtë të paraqesin ankesë.
