Ministria e Mbrojtjes, ka bërë publik përditësimin më të fundit lidhur me gjendjen e zjarreve në territorin e vendit. Sipas të dhënave, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 44 vatra.
Prej tyre, 14 vijojnë të jenë aktive, 9 po mbahen nën mbikëqyrje, ndërsa 21 janë fikur.
Të lidhura
None found
Në terren janë angazhuar 636 forca vendore dhe 67 mjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë dhënë mbështetje me 329 efektivë, mjete të shumta, 6 operacione me helikopterë, 1 avion Air Tractor dhe 1 dron.
Në Shkodër, mbetet aktive vatra Bardhaj-Myselim, ku ndërhyrja po kryhet nga toka dhe ajri, me përfshirjen e 71 efektivëve dhe 2 helikopterëve të FA.
Zjarret në Mnelë të Vogël, Naraç dhe në malin e Tërbunit janë gjithashtu aktive, ndërsa në këto zona janë angazhuar edhe 50 forca ushtarake. Vatra në Bërdicë mbahet nën mbikëqyrje dhe nuk përbën rrezik për banesat.
Në qarkun e Tiranës vijojnë të jenë aktive zjarret në Malin e Dajtit, Kryezi të Kavajës dhe Selitë e Malit. Në Dajt janë angazhuar 82 efektivë dhe 1 helikopter i FA, ndërsa në Kryezi është përdorur edhe 1 avion Air Tractor.
Në Dibër, zjarret aktive ndodhen në Vajkal, Lundre-Madhesh, Qafën e Helmes dhe Cerrujë. Për vatrën Lundre-Madhesh po ofrohet mbështetje edhe nga Forcat e Armatosura.
Dy vatra mbeten aktive në Lezhë, në Gallatë dhe në zonën Kalivaç-Zimaj-Kashnjet. Në këtë të fundit janë vendosur edhe 63 efektivë dhe 2 helikopterë të FA. Nuk ka raportime për banesa të rrezikuara.
Në Berat vijon të jetë aktive vatra në Vokopolë, ndërsa zjarri në lagjen Kala është shuar.
Në Korçë, Elbasan, Vlorë, Durrës, Fier dhe Kukës, disa prej vatrave janë fikur ose po mbahen nën monitorim.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) po ndjek pa ndërprerje situatën në mbarë vendin, në bashkërendim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale vijojnë të jenë të dislokuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje aty ku kërkohet, duke pasur përparësi mbrojtjen e jetës, banesave, pasurisë së qytetarëve dhe mjedisit.
