Lazio, Roma, Bayern Munich dhe Borussia Dortmund janë të vetmet skuadra që nuk kanë pësuar ende humbje këtë sezon në pesë kampionatet kryesore të Evropës. Lista është ngushtuar në katër emra, pasi disa prej favoritëve të fillimit kanë regjistruar disfatat e para.
Vëmendjen më të madhe po e merr Lazio, që me Gennaro Gattuso në drejtim është kthyer në surprizën kryesore të sezonit dhe po dominon titujt e gazetave. Ekipi kryeqytetas ka arritur nëntë fitore dhe një barazim në dhjetë takimet hapëse të Serie A.
Të lidhura
None found
Këto rezultate u kanë dhënë bardhekaltërve 28 pikë dhe vendin e parë, me një avantazh prej tre pikësh ndaj ndjekësve. Pas tyre mbeten skuadra si Inter, Roma, Como dhe AC Milan, ndërsa kjo nisje e jashtëzakonshme ka ushqyer ëndrrat e tifozëve.
Pa disfatë ka ecur edhe Roma e Gian Piero Gasperini, e cila në dhjetë javët e para numëron shtatë fitore dhe tre barazime. Verdhekuqtë janë përfshirë bindshëm në luftën për titull, një hap me peshë për klubin që synon ta fitojë sërish Scudetto-n për herë të parë që prej vitit 2001.
Dy përfaqësuesit e tjerë të kësaj liste vijnë nga Bundesliga. Bayern Munich dhe Borussia Dortmund kanë të njëjtin bilanc pas tetë ndeshjeve të para: pesë fitore, tri barazime dhe nga 18 pikë secila.
Ndërkohë, Barcelona i kishte fituar të gjitha takimet e kampionatit deri në përballjen me Real Madrid në El Clasico, ku pësoi humbjen që ndërpreu nisjen e saj të përsosur. Me atë rezultat, La Liga mbeti pa asnjë skuadër të pamposhtur.
Kështu, ky status ruhet tashmë vetëm nga dy klube italiane dhe dy gjermane. Nëse përfshirja e Bayern Munich konsiderohet e pritshme, secila prej tri skuadrave të tjera sjell një histori më vete në këtë fillim sezoni.







