Pse dështoi kalimi te Milani? Flet për herë të parë Rangnick

Që prej fillimit të 2020-ës u fol gjatë për emërimin e gjermanit Ralf Rangnick në pankinën e Milanit dhe mediet në Itali e në Gjermani këmbëngulnin për një marrëveshje të arritur mes palëve, por më pas gjithçka u thye me një vendim të drejtuesve të kuqezinjve në mesin e muajit korrik.

Të ndikuar nga paraqitjet mjaft të mira që po bënte skuadra në fushën e lojës, Gazidis dhe drejtuesit e tjerë të kuqezinjve vendosën të konfirmojnë Piolin në stol dhe të hedhin poshtë marrëveshjen me Rangnick.

Vetë trajneri gjerman, në një intervistë të dhënë për “Süddeutsche Zeitung”, shpjegoi në një mënyrë mjaft të thjeshtë arsyet e dështimit të marrëveshjes paraprake që kishte arritur me Milanin.

“Atje po shkonte gjithçka mirë, ndaj nuk kishte pse të shkoja unë. Do të ishte një veprim aspak i zgjuar, po të shkoja te Milani në një moment aq të mirë për klubin. Edhe nëse më vendos në anën e kuqezinjve, do të bëja pyetjen, pse duhet ndërruar trajneri i një skuadre që po bënte shumë mirë dhe që mori 9 fitore e tre barazime që prej rifillimit të kampionatit”, deklaroi Rangnick.


Shtuar 6.08.2020 17:14