Milani hap “sytë” për sulmues, dështimi i Realit del në skenë

Milani është në kërkim të një sulmuesi që të mbajë peshën e repartit të avancuar, nëse Zlatan Ibrahimovic vendos të mos rinovojë kontratën dhe emri i parë në listën e drejtuesve të klubit kuqezi është ai i serbit të Realit të Madridit, Luka Jovic.

Ky i fundit nuk la gjurmë në kryeqytetin spanjoll dhe Reali i Madridit do të provojë ta shesë ose ta japë në huazim për të paktën një sezon, që të rigjejë formën që pati treguar kur ishte pjesë e klubit gjerman, për të mos i rënë vlera në treg.

Marrëdhëniet me Milanin janë të shkëlqyera dhe sulmuesi serb nga ana tjetër do ta mirëpriste një transferim te kuqezinjtë, ku do të rigjente shokun e skuadrës te Eintrachti i Frankfurtit, Ante Rebic, i cili është pjesë e formacionit të italianëve që prej verës së vitit të kaluar.


Shtuar 28.04.2020 13:27