FIFA: Futboll do të luhet kur të jetë e mundur, nuk do të rrezikojmë jetën e njerëzve

Fifa nuk vë kufij për sezonin aktual dhe as për merkaton. Presidenti i institucionit më të lartë të futbollit në botë, Gianni Infantino, thekson se prioritet, për momentin, mbetet kujdesi për shëndetin.

“Futbolli, për momentin, nuk është prioritet. Nuk mund të vëmë njeri në presion. Përderisa ende ka rrezik, nuk do të luajmë dhe nëse do të na duhet të presim një, dy, tri javë…, do ta bëjmë sa të jetë e nevojshme.”

Infantino shprehet plot trishtim për situatën e përgjithshme shëndetësore.

“Ka njerëz që vuajnë, njerëz që vdesin. Dhe po shohim se ende shumë njerëz nuk e kanë kuptuar se sa serioze është gjendja. Në Itali, numrat po ulen, janë marrë masat e nevojshme. Mjekët janë heronjtë e vërtetë, është sikur të ndodhesh në luftë.”

E sërish kthehet të komentojë futbollin.

“Duam t’i kthehemi futbollit, ta shohim, por tani është shëndeti në plan të parë. Në historinë tonë, për herë të parë, futbolli nuk është prioritet. E trishtë, por kështu është. Kalendari? Nuk do të vëmë në rrezik jetën e njerëzve për një ndeshje me top. Do të luajmë kur të mundemi, ndoshta në korrik, ndoshta në gusht.”


Shtuar 9.04.2020 10:51