U infektuan nga koronavirusi, ministria tregon gjendjen e dy mjekëve te Sanatoriumi

Ka shkuar në 42 numri i të prekurve nga koronavirusi, ku prej të cilëve tre janë nënshtruar trajtimit intensiv. Midis katër personave të prekur së fundmi, dy janë pjesëtarë të stafit shëndetësor të spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, i njohur ndryshe edhe si Sanatariumi.

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se ata janë vetëizoluar dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

“Në Institutin e Shëndetit Publik janë testuar deri në këto momente 17 personel shëndetësor, kontakt të të sëmurit të sëmurit të identifikuar me COVID-19 në spitalin “Shefqet Ndroqi”, i cili aktualisht po trajtohet në spitalin Infektiv. Rezulton se 2 prej tyre, personel shëndetësor kanë rezultuar pozitivë. Janë pa simptoma, në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëizoluar”, tha zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.


Shtuar 15.03.2020 11:45