Rudina rrëfen dhunën e përjetuar pas vdekjes së të atit: Kisha një nënë shtatzënë…

Deputetja Rudina Hajdari, një ditë më parë, në fjalën e mbajtur nga foltorja e Kuvendit, bëri thirrje për ta shpallur emergjencë kombëtare vëmendjen në drejtim të grave të dhunuara, ndërsa i dha edhe një ngjyrim personal fjalës së saj teksa zbuloi se edhe ajo vetë kishte qenë viktimë e dhunës.

Në studion e Ilva Now, në Euronews Albania, vajza e Heroit të Demokracisë Azem Hajdari rrëfeu situatën e vështirë që kishte përjetuar personalisht pas vdekjes tragjike të babait të saj, kur ajo ishte vetëm 11 vjeçe.

“Është një fakt që s’e fsheh dot, kam kaluar një jetë shumë të vështirë, pak njerëz e njohin jetën time personale. Humba babanë në një moshë shumë delikate, dhe kjo të bë të ekspozohesh ndaj gjërave që rrisin para kohe. Ka qenë viti 98, një vit shumë i vështirë për Shqipërinë, po ashtu ne kemi pasur kërcënime të ndryshme nga njerëz të ndryshëm.

Patjetër, ka qenë një dhunë nga të gjitha anët. Unë isha fëmijë dhe nuk kisha mbështetje për atë traumë që po përjetoja në ato momente. Dhe nuk kisha mbështetje, sepse kisha një nënë e cila ishte shtatzënë dhe vazhdonte jetën e saj dhe po mundohej të mbahej fort për fëmijët e saj. Kisha një vëlla, i cili ishte më i madh se unë edhe ai po ashtu dhe ai po përjetonte një dramë.

Dhe absolutisht asnjë njëri nuk ishte në gjendje të na mbështeste në këtë traumë. Dhe kjo është një dhunë që patjetër fëmija ndjen. Unë isha 11-vjeçare, isha tepër e re dhe shumë shpejt m’u desh të largohesha nga Shqipëria”, rrëfeu deputetja Hajdari.

E pyetur nga gazetarja Ilva Tare nëse dhuna për të cilën ajo foli ishte fizike, znj. Hajdari tha se dhunën, femrat shqiptare ndonjëherë e përjetojnë që në djep, kur lindin dhe janë të padëshiruara vetëm se janë femra, ndërsa shtoi se rasti i saj është ai me të cilin mund të identifikohen shumë vajza të reja.

“Kjo është një histori personale dhe shpesh herë dua të identifikohem me shumë vajza dhe gra. Sot vajzat e reja mund ta përjetojnë dhunën që në djep, kur lind dhe nuk është e padëshiruar dhe varfëria, po nuk është vetëm ajo, është kultura shqiptare që e dhunon femrën që në momentin që ajo lind. Unë kam jetuar në këtë realitet.

Kam qenë në një familje që po përjetonte një gjë shumë të madhe dhe dhuna është ndjerë në qenien time si një fëmijë që nuk kisha mbështetje si një fëmijë. Dhe unë e di se shumë vajza mund të identifikohen e mua, se familjet shqiptare kanë aq shumë probleme dhe halle në jetën e përditshme sa e kanë të pamundur të merrem me një fëmijë”, tha ajo.

Sipas znj. Hajdari, dhuna ndaj grave, që është shumë e pranishme në familjet shqiptare, nis që në politikë, e cila duhet të ishte në fakt modeli për të kundërtën. Deputetja e dalë nga listat e Partisë Demokratike, por e përjashtuar nga kjo parti prej liderit Lulzim Basha, risolli në vëmendje rastin e saj për të konkretizuar dhunën që manifestohet në politikë. /Euronews


Shtuar 3.03.2020 22:44