Prindër kujdes! Lodrat e fëmijëve që po shiten në Shqipëri janë të rrezikshme

80% e lodrave për fëmijë të moshave të ndryshme kanë në përmbajtjen e tyre lëndë kimike, dhe paraqesin probleme fizike, pasi mund të thyhen dhe të rrezikojnë të vegjlit.

Pediatri Bektesh Mandri, thotë për RTV ORA, se kontakti me kimikatet mund të shkaktojë alergji dhe se pasojat e vërteta, shfaqen në të ardhmen.

Mandri: Jemi në epiqendër të rrezikshmërisë në jetën e përditshme sepse ne e kemi plotë tregun me lodra të pakontrolluara. Po të shkosh në treg ke nga të gjitha lodrat që nuk kanë asnjë origjinë. Përveç alergjive ato mund të kenë edhe lëndë kancerogjene në përbërjen e tyre. Marrja e tyre në doza të mjaftueshme mund të bëjë që të shfaqen tumore të ndryshme në vitet në vijim.

Pediatri shprehet se rastet e lodrave që thyhen janë të pakta, por rreziku që paraqesin është ekstrem tek fëmijët.

Mandri: Kemi raste që edhe fëmija gëlltit edhe ato kalojnë në aparatin tretës. Këto janë rastë që na japin mundësi që të reagojmë, dhe nuk ka ndonjë rrezikshmëri fëmija. Ndërsa kur kalojnë në rrugët e frymëmarrjes kemi një rrezikshmëri jashtëzakonisht të lartë.

Mandri thotë se problematikë në shpërndarjen e infeksioneve apo viruseve, jane dhe lodrat e përbashkëta në lokale, apo institucionet arsimore, si çerdhe dhe kopshte.

Mandri: Nëse një fëmijë fut një lodër në gojë dhe është i sëmurë, probabiliteti që atë ta marri dhe fëija tjetër është shumë i madh. Po kaloi dy ditë rreziku është i përjashtuar.

Gjatë muajit dhjetor, në të gjithë vendin u bllokuan më shumë se 10 mijë lodra për fëmijë, të ardhura nga Kina, që cilësoheshin të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve./Oranews


Shtuar 6.01.2020 16:22