Pengmarrja dhe vrasja e Jani Prengës, zbardhen emrat e porositësve

Janë zbardhur emrat e porositësve të pengmarrjes së Jani Prengës në zonën e Kamzës paraditen e 17 dhjetorit, i cili sipas policisë ka gjetur vdekjen, pas dhunës dhe torturave të ushtruara nga pengmarrësit.

Dyshohet se pengmarrja e tij ka ndodhur pasi i vëllai Astrit Prenga i cili jeton në Angli, nuk ka dorëzuar një ngarkesë kokaine.

Nga hetimet e policisë janë zbuluar edhe urdhëruesit kryesorë të pengmarrjes së 49-vjeçarit.

Bëhet fjalë për Altin Hajrin nga Shijaku, Dritan Rexhepin nga Vlora dhe M.Bajrin nga Shkodra.

Këta emra janë zbuluar bazuar në përgjimet telefonike të familjarëve të Jan Prengës me vëllanë e tij Astritin, i cili duket se është bërë sebep për vrasjen e të vëllait.

Rexhepi, rezulton se monitoron trafikun e kokainës nga Ekuadori drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe si bashkëpunëtorë të tij janë Hajri dhe Bajri.

Dyshohet se babai i pesë fëmijëve, u mor peng për ti bërë shantazh vëllait të tij Astrit Prenga, që të dorëzonte sasinë prej 283 kilogramë kokainë që mbante peng në një port në Angli dhe nuk e kishte dorëzuar në destinacion.

Mirëpo ndërsa gjithçka ishte menduar si formë shantazhi për Astritin, situata iu ka dalë nga kontrolli pengmarrësve, ku Jan Prenga ka gjetur vdekjen nga dhuna dhe tortura e ushtruar ndaj tij.


Shtuar 29.01.2020 18:32