Harun Çelik, Edi Rama, neni 9 i Kartës Europiane dhe Erdogan

nga Hajro Limaj

Dorëzimi në datën 1.1.2020 i mësuesit Harun Celik nga autoritetet shqiptare presidentit me totalitar të kohës, Erdogan, ngjalli një reagim të shpejtë dhe shumë të madh në median shqiptare dhe turke.

Ndërsa, Eurodeputetja Ramona Strugariu kur i arrestuari ndodhej akoma në Rinas, i drejtohet urgjentisht Ramës duke i kujtuar atij ligjin dhe i kërkon të mos e ekstradojë në Turqi.

“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Shqipëria ka firmosur Konventën e Këshillit të Europës mbi ekstradimin. Për më shumë, ju thoni se Shqipëria është gati për në BE. Atëherë ju lutem respektoni nenin 19, pika 2 të Kartës Europiane për të Drejtat Themelore dhe mos e ekstradoni Harun Çelik në Turqi!” . Po çfarë shpreh neni në fjalë: “Askush nuk mund të hiqet, përzihet ose ekstradohet drejt një shteti ku ka rrezik serioz që ai apo ajo t’i nënshtrohet dënimit me vdekje, torturës apo trajtimeve të tjera çnjerëzore apo degraduese”

Ndërsa, bashkëshortja dhe 4 fëmijët e Harun Çelik, përmes një videoje të regjistruar në Kazakistan kërkojnë ndihmë për të shpëtuar babanë e tyre.

“Nëse e çoni në Turqi, ai do të arrestohet dhe ne do ta humbasim atë. Ju lutem, mos e çoni atë në Turqi. Ne kemi 4 fëmijë që mund të humbasin babanë e tyre. Ju lutemi, ndihmojeni babanë tonë”, thonë ata.

Një pjesë e rëndësishme e medias turke, si edhe ajo shqiptare aksionin e kundërligjshëm të dorëzimit të mësuesit e vlerësojnë si pjellë e marrëveshjeve që ka bërë Erdogani me Ramën, veçanërisht në takimin e fundit për një kohë 1.5 orë pa prezencën e askujt tjetër. Gazetat “Aktifhaber” dhe “Bolmedja” kryertitujt i kanë “Krahu i zgjatur i Erdoganit në Shqipëri “, ku në mes të shkrimit janë vendosur fotografitë e takimit Erdogan-Rama.

E gjithë kjo veprimtari e kundërligjshme, të cilat fatkeqësisht Shqipërinë po e largojnë për ditë e më shumë nga Europa, ashtu si larguan Turqinë e Erdoganit, duhet të sqarohen me të gjitha shkeljet e bëra dhe ashtu siç u veprua në Kosovë duhet të merren masa të ashpra.

Mësuesi Harun Çelik, kishte ardhur në Shqipëri për të kërkuar mundësitë e kalimit transit për në Kanada, ku do të kërkonte strehim politik. Do të shkonte pranë disa shokëve të tij, të cilët nga përndjekjet terroriste të Erdoganit kishin mundur të sistemoheshin atje. Me një vizë të siguruar në Kosove ai u arrestua në muajin korrik në aeroportin e Rinasit, pasi iu gjet një vizë kanadeze, e cila pas kontrollit rezultoi se ishte e falsifikuar. Edhe pse ai luftonte ti shpëtonte kësaj përndjekje të kundërligjshme, të cilën e shpjegoi në hetuesi gjykata e Tiranës e dënoi me 5 muaj burg, dënim mësues e vuajti në burgun 302 në Tiranë.

Më datën 1 Janar, sapo ai ka dalë nga burgu, drejtoria e Emigracionit, e cila i ka zyrat në Laprakë,e ka rrëmbyer Çelikun, dhe e izoloi disa orë në ambientet e saj. Rreth orës 19:00 me makina të përforcuara policie, sikur ishte një terrorist që kishte vrarë njerëz dhe përbënte rrezikshmëri njerëzore e çuan në hyrjen e majtë të aeroportit në një dhomë izolimi. Ndërsa në orën 20:35 me avionin e Stambollit e nisën të lidhur për ta dorëzuar në Turqi. Mediat turke shkruajnë se në këtë operacion kanë marrë pjesë edhe oficerë të SHIK-ut të ardhur nga Turqia.

Avokati shqiptar deklaroi se kanë kërkuar me shkrim që mësuesit Harun Çelik t’i jepej strehim politik në Shqipëri, siç bën e gjithë Europa për këto raste, por autoritet shqiptare as e kanë denjuar. Shkelja tjetër e ligjit, shprehet avokati qëndron se atij duhej ti liheshin 4 ditë në pritje, ku kishte të drejtën edhe të apelimit kundër ekstradimit. Por, urdhri i Erdoganit duhej të zbatohej me çdo kusht, sepse ai prej vitesh e ka kthyer Shqipërinë në një vend vasal me kaq shumë pasoja. Nuk i mjaftoi ngritja e mauzoleumit për 245 “dëshmoret turq në kodrat e Liqenit, e cila edhe kjo përbën shkelje ligjore dhe një veprimtari pa asnjë lloj transparence, por kërkonte ta fuste Shqipërinë në listën e zezë, ku përfshihen vendet e Afrikës dhe Kosova për dorëzimin dhe rrëmbimin e 100 mësuesve të pafajshëm. Të “fajshëm” sepse kanë punuar apo punojnë në institucionet arsimore të predikuesit fetar Gylen.

Është fatkeqësi kombëtare kur qeveritare apo politikane shqiptare bëhen pjesë dhe mbështetës të strategjisë së Erdoganit, strategji të cilën e kanë injoruar SHBA dhe të gjitha shtetet e Bashkimit Europian. Gulenin dhe shkollat që shtrihen në 160 vende të botës nuk i njohin aspak si organizata terroriste, përkundrazi ato kanë mbështetjen e nevojshme të këtyre shteteve. Të përndjekurit e këtyre shkollave menjëherë u kane dhënë dokumentet dhe shtetësinë në Gjermani, Hollandë, Kanada, Amerike e kudo. Ndërsa, Shqipëria që pretendon të hyjë në BE, por që realisht të gjithë veprimtaritë që bën janë kundër BE-së nuk u jep mësuesve të kolegjeve në Shqipëri as strehim politik dhe as shtetësinë shqiptare, të cilën ua ka dhënë më parë. Pra, qeveria shqiptare është kthyer plotësisht në varësi të urdhrave politikë të Erdoganit, i cili sot në botën demokratike vlerësohet si shkatërrimtari i shtetit demokratik dhe ligjor në Turqi, ku i ka mbushur burgjet me kundërshtarët politikë, me ushtarakët e lartë dhe me këdo që shprehet dhe ka mendim ndryshe nga Erdogani.

Mësuesi i pafajshëm në raport me shtetin turk, në orët e vona të mbrëmjes së datës 1 Janar u fut në qelitë e Drejtorisë së luftës kundër terrorizmit. Pra terrorizmi! Sepse Erdogani, mësuesit e këtyre shkollave i quan anëtarë të organizatës “terroriste FETO. Ai tani do të torturohet dhe do të dhunohet dhe pjesa kryesore e jetës qe i ka mbetur, po u rezistoi torturave, do t’i kalojë në burgjet me të ashpra. Këtë dënim e ka nga autoritetet shqiptare që nuk zbatuan ligjet e Konventës Europiane dhe ligjet shqiptare.

Fatkeqësi. Kur njeriu nuk mendon se çfarë pasojash do të ketë një njeri që për t’u shpëtuar përndjekjeve të Erdoganit lufton të të sistemohet dikush, ndërsa autoritetet shqiptare e groposën atë dhe familjen e tij përfundimisht. Shqipëria dhe shqiptarët gjatë Luftës së dytë u bënë strehë për të shpëtuar hebrejtë që përndiqeshin nga Hitleri dhe sot Izraeli e kujton këtë përkushtim njerëzor. Por për fajet e qeverise Rama, i cili votoi se bashku me vendet islamike kundër kalimit të qendrës se qytetit në Jeruzalemin Lindor, kryeministri i Izraelit anuloi vizitën e planifikuar në Shqipëri dhe më vonë shkoi në Sofje dhe kohët e fundit në Athinë. Prandaj populli i zgjuar shqiptar thotë, “Më thuaj me kë rri të të them se kush je “. Po ndenje dhe merr urdhëra nga Erdogani, Shqipërinë po e çon në humnerë. Por, Shqipërinë nuk e kanë në dore indvidë kalimtarë në krye të qeverisë. Atë e ka në dorë populli shqiptar, i cili në kushte të qeta do të shkruaje historinë e secilit prej tyre.

*Ish-atashe ushtarak në Republikën e Turqisë. Sot Drejtor i Institutit të Politikave të Sigurisë Kombëtare


Shtuar 6.01.2020 13:28