Frika nga koronavirusi, Zaev anulon të gjitha aktivitetet

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev anuloi të gjitha aktivitetet për ditët e ardhshme. Gjithashtu janë anuluar të gjitha aktivitetet që ishin në agjendë partiake me qëllim që të parandalohet përhapja e koronavirusit.

“Edhe pse ishin caktuar takime me kryetarin Zoran Zaev si dhe aktivitete partiake, udhëheqësi i LSDM-së vendosi që të anulohen aktivitetet për shkak se s’ka vlerë më të madhe se sa shëndeti”, tha sekretari i Përgjithshëm i LSDM-së, Ljupçe Nikolloski.

Në lidhje me kongresin e djeshëm të LSDM-së në një hotel në Shkup, ku të pranishëm ishin qindra delegatë, të ftuar dhe gazetarë, Nikollovski vërtetoi se anëtarët e partisë më herët kishin nënshkruar deklarata se nuk kanë udhëtuar në rajonet e rrezikshme dhe shtetet që janë të rrezikshme nga infeksioni.

“Gjatë kongresit u respektuan të gjitha rekomandimet. Delegatët para se të hynë në kongres nënshkruan se nuk kanë qenë në rajonin ku ka përfshirë koronavirusi”, tha mes tjerash Nikollovski.


Shtuar 10.03.2020 15:48