Si t’ua shpjegojmë fëmijëve çfarë është koronavirusi?

Fëmijët janë shumë të ndjeshëm, ata ndjejnë veçanërisht peshën e emocioneve tona me ngjyrime negative, edhe nëse nuk dëgjojnë asgjë, edhe nëse nuk kanë një informacion me bazë konkrete, ndjeshmëria e tyre nuk gabon asnjëherë.

Është e rëndësishme që mendjet e tyre të pastrohen nga dyshimet, të cilët mund të prodhojnë frikën, ankthin dhe pasigurinë në zemrat e vogla.

Fëmijet kuptojnë, njësoj si të rriturit, mendjet e tyre kristal mund të reflektojnë mbi situatën.

Ata duhen sqaruar por jo frikësuar, duhen mësuar të kenë kujdes por jo të kenë frikë.

Nëse je përballë pyetjes : “Çfarë ështe koronavirusi”?

Dhe dy syve lutës që të pyesin plot naivitet dhe ëmbëlsi, duhet tu përgjigjesh me po të njëjtën delikatesë, dashuri dhe kujdes.

Duke mos e fshehur të vërtetën, por duke e ngjyrosur atë me petalet e buta të shpirtit të tyre, sepse edhe në kohë lufte, fëmijët janë gëzim jete, janë trëndafil në mes të shkretëtirës, janë ajkë dhe mjaltë për shpirtin tonë.

Ankthi që fëmijët përjetojnë, jep dhimbje të stomakut, sepse trupi përkthen në sinjale fizike, dhimbjen emocionale, si e vetmja mundësi që ka për tu shprehur.

Ankthi tek fëmijet është i dëmshëm dhe mund të bëhet kronik, ështe thelbësore të evitohet në çdo rrethanë, për më tepër në një situatë të tillë…Nuk duhen harruar vogëlushët, zemrat e pafajshme të cilët kuriozojnë pa limit, por dinë të kuptojnë dhe të ndjejnë në heshtje.

Duhet përkëdhelur dhe jo cënuar brishtësia e tyre.

Fëmijët duhen mbajtur larg celularëve veçanërisht këto ditë, sepse “virusi” po qarkullon në mediat sociale, duke na pushtuar në mos trupin dhe fizikun tonë, shpirtin dhe mendjen.

Si të flasim me fëmijët tanë?

Cila është skema e gripit e cila duhet ndërtuar në mendjen e tyre?

Mund t’i sqarojmë në këtë formë…

Koronavirusi është një mikrob i vogël, të cilin syri jonë nuk e dallon dot.

Ai dëshiron të krijojë shtëpinë e tij në trupin tonë, por ne nuk duhet ta lejojmë, sepse kjo na dëmton shëndetin.

Por si mund ta shmangim këtë “ushtar të vogël” nga vetja dhe nga familjarët tanë?

Duke qenë të pastër, duke larë duart, duke u ushqyer me ushqime shumë të shëndetshme, për të krijuar një ushtri më të fortë brenda trupit tonë, e cila do ta mundë ushtarin e vogël.

Nëse kujdesemi, do ia dalim!

Ky ushtar, dëshiron të mbledhë shumë shoke, dhe të vizitojë secilin prej nesh, por kjo ështe e mundur vetëm nëse ne takohemi me njerëz të panjohur dhe nuk mbajmë distancë.

Ne do të qëndrojmë në shtëpi shumicën e kohës, ose në vende shumë të sigurta, dhe do të luajmë, do të argëtohemi, do të gatuajmë, do shikojmë filma vizatimorë dhe mësojmë së bashku.

Është bukur të qëndrojmë në shtëpi dhe t’i gëzohemi jetës!

Do të luajmë lojërat më të bukura sepse koha ime është e gjitha për ty. Shtëpia është një pambuk i butë dhe i bardhë i cili na rrethon me ngrohtësi. E dini kush janë më të fortët dhe luftëtarët më të pamposhtur të kësaj lufte mes ushtarit të vogël dhe trupit të njeriut?

Fëmijët, jeni vetë ju.

Por duhet të kujdeseni shumë për veten, në mënyrë që ky ushtar i vogël të largohet përgjithmonë.

Duhet të mendojmë dhe veprojmë si FITIMTARË.

Fitimtarët nuk dorëzohen asnjëherë, nuk frikësohen, ata ushqehen dhe bëhen çdo ditë e më të fortë.

Janë të zgjuar të dëgjojnë këshillat e prindërve dhe të mbrohen.

Dashuria që kemi për njëri-tjetrin, e tremb mikrobin e vogël, ai do të dorëzohet dhe do të kthehet mbrapsht një ditë.

Deri atë ditë ne nuk do të shkojmë tek parku i lojërave, por kur ushtari i vogël të mbetet i vetëm dhe të mposhtet, ne do të perqafohemi fort fort me njëri-tjetrin.

Dielli do të shkëlqejë edhe më shumë se më parë dhe mami do t’i tregojë të gjithëve se ti je një shpëtimtar, je një hero i vogël që je kujdesur për veten, në të mirë të gjithë njerëzimit.


Shtuar 12.03.2020 18:26