Akuzohet për vrasje, Thaçi shtyn konferencën për media

Presidenti Hashim Thaçi ka shtyrë për të hënën konferencën e paralajmëruar për sot lidhur me aktakuzën e Prokurorisë së Hagës.

Konferenca do të mbahet nesër në orën 20:00, ka njoftuar zyra e Presidentit.

Ky pritet të jetë adresimi i tij i parë pas njoftimit të Zyrë​s së Prokurorit të Specializuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Thaçi ka qenë jashtë Kosovës dhe ka ndërprerë udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara, ku pritej të mbahej takimi në mes të delegacionit të Kosovës dhe Serbisë për rifillimin e dialogut, me ndërmjetësim të ambasadorit Richard Grenell.


Shtuar 28.06.2020 15:39