Autoritetet e Floridës i janë drejtuar një gjykate shtetërore me kërkesën që OpenAI të mos vijojë përmirësimin e ChatGPT-së, deri në momentin kur kompania të zbatojë masa të posaçme për mbrojtjen e përdoruesve dhe të publikut.
Të lidhura
None found
“Mos pretendoni më se është i sigurt. Mos e paraqitni si qenie njerëzore. Mos ua tregtoni më fëmijëve”, shkroi të hënën në platformën X prokurori i përgjithshëm i Floridës, James Uthmeier, duke njoftuar hapjen e procesit gjyqësor.
Uthmeier është republikan dhe deri në vitin 2025 ka mbajtur detyrën e shefit të kabinetit të guvernatorit republikan të Floridës, Ron DeSantis.
Thirrja për vendosjen e rregullave ndaj ChatGPT-së dhe teknologjive të tjera të inteligjencës artificiale bie ndesh me linjën e administratës së presidentit amerikan Donald Trump. Ky i fundit ka kundërshtuar masat mbrojtëse dhe i ka përshkruar paralajmërimet për rreziqet si “mashtrime”.
Sipas Uthmeier, Florida i ka kërkuar Gjykatës së Qarkut të 10-të Gjyqësor të Floridës, në kontenë Highlands, të marrë masa pas deklaratave të fundit të drejtorit ekzekutiv të OpenAI-t, Sam Altman. Ky i fundit ka paralajmëruar se inteligjenca artificiale mund të përbëjë kërcënim për publikun nëse nuk shoqërohet me mekanizma mbrojtës.
Gjatë fjalës së tij javën e kaluar para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Altman deklaroi se njerëzimi mund të “humbasë kontrollin mbi të ardhmen e inteligjencës artificiale”. Në të njëjtin takim morën pjesë edhe drejtuesit e kompanive rivale Anthropic dhe Hugging Face, të cilët iu bashkuan thirrjes drejtuar autoriteteve për të ndërhyrë dhe për të orientuar zhvillimin e sektorit.
“Po i kërkojmë gjykatës të ndërmarrë atë që OpenAI nuk pranon ta bëjë vetë: të garantojë mbrojtjen e familjeve të Floridës”, u shpreh Uthmeier.
Nisma e re ligjore pason një padi të depozituar më herët gjatë këtij viti nga shteti i Floridës për pasojat e përdorimit të ChatGPT-së te fëmijët dhe persona të tjerë. Në atë çështje, autoritetet pretenduan se disa përdorues ishin “nxitur” drejt vetëvrasjes dhe se inteligjenca artificiale kishte “ndihmuar dhe nxitur sulme vdekjeprurëse”.
