Në panairin CES në Las Vegas, kompania gjermane ZF prezantoi një sistem të ri të reduktimit aktiv të zhurmës në automjete, me synimin që të rrisë ndjeshëm komoditetin gjatë vozitjes.
Të lidhura
None found
Teknologjia është zhvilluar për të trajtuar të ashtuquajturën “zhurmë të zgavrës”, që shkaktohet nga lëkundjet e ajrit në brendësi të gomave dhe më pas përcillet në kabinën e mjetit nëpërmjet shasisë.
Nga zgjidhjet e zakonshme, ky sistem dallohet sepse nuk mbështetet në altoparlantë apo mikrofonë shtesë. Në vend të tyre, ai shfrytëzon sensorët dhe aktuatorët ekzistues të shasisë për të identifikuar dhe kundërshtuar vibrimet.
Përpunimi i të dhënave bëhet përmes një algoritmi, i cili krijon sinjale kundërvepruese dhe i dërgon ato te amortizatorët gjysmë-aktivë, duke e ulur zhurmën me anë të mikrolëvizjeve.
Sipas ZF, sistemi në fazën aktuale është në gjendje të reduktojë zhurmën deri në tre decibelë, ndërsa më vonë synohet që kjo shifër të arrijë deri në dhjetë decibelë. Nisja e prodhimit serik parashikohet për vitin 2028.
Krahas kësaj risie, kompania paraqiti edhe sistemin AI Road Sense, që përdor inteligjencë artificiale dhe sensorë, madje edhe lidar në versionet më të avancuara, për ta përshtatur pezullimin në kohë reale sipas kushteve të rrugës.
