Karim Adeyemi është zyrtarisht futbollisti më i ri i Barcelonës. Klubi katalanas e konfirmoi transferimin këtë të enjte, ndërsa kontrata e sulmuesit do të jetë e vlefshme deri më 30 qershor 2031.
Futbollisti gjerman 24-vjeçar kalon në “Spotify Camp Nou” pas marrëveshjes së përfunduar mes Barcelonës dhe Borussia Dortmundit. Bisedimet mes palëve ishin zhvilluar në fshehtësi të plotë gjatë javëve të fundit.
Të lidhura
None found
Adeyemi udhëtoi drejt Barcelonës të mërkurën, më 15 korrik, me avion privat, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe disa pjesëtarë të familjes. Një ditë më pas, ai përmbylli të gjitha procedurat e nevojshme për t’u bërë zyrtarisht lojtar i klubit blaugrana.
Transferimi mori formë përfundimtare pasi sulmuesi kaloi me sukses kontrollet mjekësore në Barcelonë dhe vendosi firmën në kontratën e re.
Sipas marrëveshjes me Borussia Dortmundin, Barcelona do të paguajë 22 milionë euro si shumë fikse. Klubi gjerman mund të arkëtojë edhe 7 milionë euro të tjera përmes bonuseve që varen nga paraqitjet individuale të Adeyemit dhe përmbushja e objektivave të skuadrës.
Dortmundi ka siguruar gjithashtu rreth 20 për qind të fitimit nga një transferim i ardhshëm i lojtarit. Kjo klauzolë ishte vendimtare që dy klubet të arrinin marrëveshjen.
Lajmi u publikua në kanalet zyrtare të Barcelonës dhe e bën Adeyemin përforcimin e dytë të skuadrës së Hansi Flick gjatë kësaj vere. Drejtuesit katalanas ia dolën t’i zhvillonin negociatat pa vëmendjen e mediave deri në çastin kur operacioni u finalizua.
