Franca e vulosi kalimin në fazën e 1/8-tës të Kupës së Botës pasi triumfoi bindshëm 3-0 ndaj Suedisë, duke prerë biletën për në raundin pasues të kompeticionit.
Në këtë përballje shkëlqeu Kylian Mbappe, autor i dy golave, ndërsa Michael Olise dhe Ousmane Dembele kontribuuan me asistime në një mbrëmje shumë të mirë të repartit ofensiv.
Të lidhura
None found
Menjëherë pas sfidës, reagimet pozitive nga tifozët dhe opinionistët nuk munguan. Mes tyre ishte edhe Zlatan Ibrahimovic, i cili në një prononcim për FOX përfshiu tre lojtarët e sulmit francez në listën e tij me pesë më të mirët në botë për momentin.
“Dëgjoni, nëse marrim pesë lojtarët më të mirë në botë, tre prej tyre janë në sulmin e Francës – Dembele, Olise, Mbappe”, deklaroi fillimisht Ibrahimovic.
“Pastaj mund të zgjedhim edhe dy të tjerë, do t’ju lë të vendosni ju: Haaland, Messi… Yamal. Më falni, sepse Messi është në një klasë më vete”.
“Por tre nga pesë më të mirët janë në këtë sulm [të Francës], dhe kjo nuk është e lehtë për t’u ndërtuar”.
Ish-sulmuesi suedez shtoi më tej se, ndonëse skuadra të mbushura me emra të mëdhenj si PSG me Mbappe, Messi dhe Neymar e patën të vështirë të krijonin një harmoni të plotë, treshja e Francës veçohet pikërisht për mungesën e egos dhe frymën e lojës në grup.
“Atyre nuk u intereson kush është lojtari kryesor. Ata punojnë pa top dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Me topin, ne e dimë se çfarë mund të bëjnë – ata mund ta vendosin një ndeshje në çdo moment. Është e frikshme”, përfundoi ish-ylli suedez.
