Xhemal Ibishi po përjeton një nisje të shkëlqyer të sezonit me Malishevën, duke u shfaqur si një nga futbollistët më vendimtarë të kampionatit kosovar. Sulmuesi shqiptar nga Maqedonia e Veriut ka shënuar pesë gola në nëntë javët e para të Superligës së Kosovës dhe aktualisht renditet i dyti në klasifikimin e golashënuesve.
Të lidhura
None found
Ndikimi i tij në skuadër shkon përtej finalizimeve. Ibishi ka dhënë edhe tri asistime në kampionat, ndërsa ka realizuar një gol edhe në Ligën e Konferencës, në duelin kundër Vllaznisë.
Ai ka shënuar ndaj Drenicës, Llapit, Ballkanit, Dritës dhe Prishtinës, duke luajtur rol të rëndësishëm në rezultatet e Malishevës. Pas nëntë xhirove, Malisheva kryeson së bashku me Prishtinën, me nga 20 pikë.
Në prononcimin për Telegrafin, sulmuesi ka analizuar paraqitjet e tij, ecurinë e skuadrës dhe objektivat për vazhdimin e sezonit. Ibishi ka bërë të ditur se forma e mirë nuk e ka befasuar, pasi përgatitjet verore dhe mbështetja e ekipit i kanë dhënë besim që në fillim.
“E kam pritur një start të tillë pasi jam ndier mirë në fazën përgatitore dhe ekipi më ka mbështetur që në startin e sezonit duke filluar nga ndeshjet e garave evropiane”, ka thënë fillimisht Ibishi për Telegrafin.
I pyetur për pozicionin e tij mes golashënuesve kryesorë të Superligës, sulmuesi ka kujtuar se kishte treguar më herët aftësitë e tij, edhe gjatë sezonit të kaluar, kur iu dha mundësia të luante.
“Nuk besoj se mund të jetë befasi pasi e kam dëshmuar sado pak kualitetin tim në mundësitë që më janë dhënë sezonin e kaluar”.
Sa u përket synimeve të Malishevës, Ibishi beson se skuadra ka potencialin e duhur për të konkurruar në pjesën e sipërme të renditjes. Ai ka nënvizuar se lufta për pozitat e para është një objektiv që klubi e vendos pothuajse çdo sezon.
“Patjetër që ky ekip ka potencial për të luftuar për pozitat e para në tabelë pasi ky është objektivi Malishevës gati çdo vit”.
Edhe pse gjatë kësaj periudhe në krye të ekipit ka pasur ndryshime të trajnerëve, futbollisti shprehet se kjo situatë nuk e ka lëkundur grupin. Sipas tij, ruajtja e bërthamës së skuadrës dhe bashkëpunimi i krijuar ndër vite kanë ndihmuar në ruajtjen e qëndrueshmërisë.
“Ndryshimi i trajnerëve nuk ka ndikuar shumë tek ne pasi kemi ruajtur grupin që kemi disa vite bashkë, por kemi mësuar diçka nga eksperiencat e tyre. Përkundrazi na kanë ndihmuar të bëhemi edhe më të fortë”.
Objektivi kryesor i Ibishit mbetet pozita sa më e lartë e Malishevës, megjithatë ai synon edhe një arritje personale në fund të kampionatit: fitimin e kurorës së golashënuesit më të mirë.
“Synimi im i parë është që Malisheva të dalë në pozitë sa më të lartë në tabelë, dhe pse jo do ishte kënaqësi të fitoja çmimin e golashënuesit më të mirë të sezonit”, përfundoi sulmuesi i Malishevës.
Me pesë gola e tri asistime në kampionat, si dhe me një tjetër realizim në arenën evropiane, Xhemal Ibishi është shndërruar në një prej pikave kryesore të Malishevës. Nëse e ruan këtë ritëm, ai do të ketë rol të rëndësishëm si në garën për golashënuesin e sezonit, ashtu edhe në përpjekjen e klubit për të qëndruar mes skuadrave që synojnë titullin e Superligës së Kosovës.







