Chelsea po vijon të jetë shumë aktive në tregun e transferimeve gjatë kësaj vere. Skuadra londineze, që sapo theu rekordin e saj të blerjeve me afrimin e Morgan Rogers, ka tentuar një tjetër goditje të madhe në merkato, por i është përballur një refuzimi nga Bournemouth për shërbimet e mesfushorit Alex Scott.
Të lidhura
None found
Raportohet nga BBC Sport dhe burime të tjera britanike se klubi i Stamford Bridge paraqiti një propozim prej 64 milionë funtesh, afërsisht 86 milionë dollarë, për talentin 22-vjeçar. Megjithatë, përgjigja e Bournemouth ishte e menjëhershme dhe e prerë: lojtari nuk është në shitje dhe do të qëndrojë në klub edhe pas përfundimit të këtij afati kalimtar.
Një faktor që mund t’ua vështirësojë situatën drejtuesve të Bournemouth është kontrata e Scott. Mesfushori anglez ka vendosur të mos pranojë ofertën për vazhdimin e marrëveshjes, e cila përfundon pas dy vitesh. Pavarësisht kësaj, qëndrimi i klubit mbetet i palëkundur dhe shitja e tij nuk është në plane.
Revolucioni i nisur nga trajneri Xabi Alonso te Chelsea ka sjellë një valë investimesh të mëdha. Vetëm për Morgan Rogers nga Aston Villa u paguan 117 milionë funte, ndërsa gjatë kësaj vere kanë mbërritur edhe lojtarë si Marco Palestra, Emmanuel Emegha, Geovany Quenda dhe Denner.
Megjithatë, Chelsea nuk është i vetmi klub që e mban në radar Alex Scott. Interes konkret kanë shprehur edhe rivalët e tjerë të Premierligës, si Arsenali, Manchester City dhe Manchester United. Madje, edhe Tottenhami e kishte përcjellë më parë mesfushorin, përpara se të siguronte transferimet e Mateus Fernandes dhe Sandro Tonalin.
Aktualisht, Chelsea disponon një prej dysheve më të kushtueshme të mesfushës me Moises Caicedon dhe Enzo Fernandez. Por e ardhmja e këtij të fundit në Stamford Bridge duket e paqartë. Thuhet se argjentinasi ka shfaqur dëshirën për një aventurë të re, dhe klubi londinez është i hapur të shqyrtojë oferta, me kusht që ato të arrijnë shifrën e 120 milionë funteve.
Shanset për një largim të Fernandez megjithatë janë zvogëluar, pasi Real Madridi ka konfirmuar publikisht se nuk ka ndër mend të investojë për të. Për më tepër, një ribashkim i mundshëm me ish-trajnerin e Chelseas, Enzo Maresca, ose një kalim te Atletico Madridi janë spekuluar, por duket se asnjëri prej këtyre klubeve nuk do të plotësojë kërkesat financiare të bluve londinezë.
Dëshira e Xabi Alonsos për të afruar Scott nuk lidhet domosdoshmërisht me situatën e Fernandez. Trajneri spanjoll synon të forcojë dhe të rrisë konkurrencën në repartin e mesfushës, duke qenë se problemet e shpeshta fizike të Romeo Lavias dhe Dario Essugos e kanë lënë skuadrën shpesh pa alternativa të mjaftueshme gjatë sezonit.
