Mërgim Vojvoda u shpreh i kënaqur me suksesin e Kosovës ndaj Irlandës dhe nënvizoi peshën që ka Liga e Kombeve për sigurimin e play-offit të vitit 2028.
Të lidhura
None found
Kosova e kontrolloi ndeshjen që nga fillimi dhe krijoi mundësi për një fitore më të thellë, por në fund triumfoi me rezultatin 1-0.
Duke folur për “Klan Kosova” pas përfundimit të takimit, Vojvoda e cilësoi fitoren të vështirë dhe tha se vëmendja tani duhet të përqendrohet te sfida me Austrinë.
“Ishte një fitore shumë e rëndësishme. Patëm mundësi të shënonim më shumë, ndërsa arritëm ta mbanim portën të paprekur”.
“Nuk ishte aspak e lehtë, pasi përballë kishim një kombëtare të fortë fizikisht. Ne zhvilluam lojën tonë, krijuam raste dhe në fund ia dolëm”.
“Çdo ndeshje ka rëndësinë e saj. E dimë se ky grup është i rëndësishëm edhe për play-offin e vitit 2028 dhe synimi ynë është ta fitojmë të gjithë grupin”.
“Austria shihet si favorite e grupit, por çdo ndeshje ka historinë e vet. Duhet të ecim hap pas hapi dhe më pas të shohim. Sonte do ta festojmë, ndërsa nga nesër do të përqendrohemi te ndeshja e radhës”.
Ndeshja mes Austrisë dhe Kosovës do të luhet të dielën, duke nisur nga ora 18:00.
