Udinese siguroi kualifikimin në 1/8 e finales së Kupës së Italisë, pasi mposhti 2-1 Venezian, në një ndeshje ku Mërgim Vojvoda regjistroi asistimin e tij të parë me fanellën e klubit italian.
Të lidhura
None found
Të dy futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës, Vojvoda dhe Albion Rrahmani, e nisën takimin si titullarë. Megjithatë, në fund festën e vazhdimit në garë e bëri vetëm mbrojtësi kosovar.
Vojvoda pati rol vendimtar në golin e barazimit të Udineses. Në minutën e 34-t ai shërbeu për bashkëlojtarin, duke ndihmuar skuadrën të rikthehej në lojë, ndërsa pjesa e parë përfundoi me shifrat 1-1.
Reprezentuesi i Kosovës qëndroi në fushë deri në minutën e 72-të. Pas largimit të tij, Udinese gjeti edhe golin e dytë, duke siguruar fitoren dhe kualifikimin në raundin pasues.
Rrahmani, i cili e nisi sfidën nga minuta e parë për Venezian, nuk mundi ta përmbyllte ndeshjen. Sulmuesi u zëvendësua në minutën e 74-t për shkak të një lëndimi.
Nuk ka ende informacion për natyrën e dëmtimit të Rrahmanit, ndërsa mediat italiane nuk kanë raportuar detaje rreth gjendjes së tij.
Në 1/8 e finales së Kupës së Italisë, Udinese do të ketë përballë Atalantan.
Vojvoda iu bashkua Udineses gjatë afatit kalimtar të verës, pas largimit nga Como.
