Vedat Muriqi pritet të jetë kapiteni i ardhshëm i Kosovës, pas përfundimit të rolit të Amir Rrahmanit, i cili e udhëhoqi përfaqësuesen për shtatë vite.
Të lidhura
None found
sulmuesi 32-vjeçar i Fenerbahçes është një nga liderët kryesorë të Dardanëve dhe tani pritet të marrë përsipër edhe detyrën e bartjes së shiritit të kapitenit.
Me 32 gola në 68 paraqitje, Muriqi mban rekordin e Kosovës për numrin e golave të shënuar.
Ky rol nuk do të jetë i ri për të, pasi në të kaluarën e ka mbajtur tetë herë shiritin e kapitenit, kur Rrahmani nuk ka qenë i pranishëm. Për këtë arsye, ai shihet si zgjedhja kryesore për këtë pozitë.
Muriqi u paraqit për herë të parë me Kosovën më 9 tetor 2016, në duelin kundër Ukrainës, kur ishte 22 vjeç. Që atëherë, ai është bërë golashënuesi më i mirë në historinë e përfaqësueses, ndërsa 68 ndeshjet e zhvilluara e rendisin të dytin për numrin e paraqitjeve me Dardanët.
Vetëm Mërgim Vojvoda ka luajtur më shumë ndeshje se Muriqi. Mbrojtësi 31-vjeçar numëron 75 paraqitje me Kosovën dhe pritet të jetë kapiteni i dytë në hierarkinë e re të ekipit kombëtar.
Milot Rashica është një tjetër kandidat për shiritin. Sulmuesi 30-vjeçar ka zhvilluar 64 ndeshje me Kosovën dhe ka shënuar 12 gola, duke qenë ndër futbollistët më me përvojë të skuadrës.
Muriqi, Vojvoda dhe Rashica janë tre lojtarët e vetëm mbi 30 vjeç në këtë grumbullim. Përveç Rrahmanit, Florent Hadërgjonaj ka pezulluar angazhimin me ekipin kombëtar, ndërsa Fidan Aliti dhe Valon Berisha janë pezulluar.
Pas largimit të Rrahmanit, renditja e re e kapitenëve të Kosovës pritet të kryesohet nga Muriqi, me Vojvodën dhe Rashicën si alternativat pas tij.
Ky kapitull i ri për Muriqin nis në një periudhë të rëndësishme për Kosovën, e cila do të luajë katër ndeshje në Ligën e Kombeve brenda dhjetë ditësh.
