Çështja që lidhet me certifikatën e vaksinimit kundër COVID-19 të Granit Xhakës ka marrë një zhvillim të ri. Mjekja që i lëshoi dokumentin kapitenit të Kombëtares së Zvicrës këmbëngul se futbollisti është vaksinuar realisht dhe në përputhje me procedurën.
Të lidhura
None found
Andrea L., e cila i dha Xhakës certifikatën e diskutueshme, deklaroi për Blick se vaksinimi i lojtarit ka ndodhur në të vërtetë.
“Xhakën e kam vaksinuar siç duhet”, u shpreh ajo.
Të premten, Blick raportoi se ndaj futbollistit kishte nisur një procedurë penale. Dyshimet lidhen me pretendimin se gjatë vitit 2022 Xhaka kishte siguruar një certifikatë të rreme vaksinimi kundër COVID-19, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë edhe mundësinë që dokumenti të jetë marrë në mënyrë mashtruese.
Në reagimet e para, rrethi i futbollistit i hodhi poshtë akuzat. Zëdhënësi Andreas Bantel tha se Xhaka kishte marrë nga mjeku i tij konfirmimin për dozën e parë më 25 janar 2022 dhe për dozën e dytë më 11 nëntor të të njëjtit vit. Më pas, Bantel e korrigjoi datën e dozës së dytë, duke thënë se ajo ishte 8 nëntori.
Megjithatë, të hënën Xhaka pranoi publikisht se kishte siguruar një certifikatë vaksinimi, duke bërë një deklaratë që ndryshoi rrjedhën e çështjes.
“Kisha një mosbesim të madh ndaj vaksinës dhe ndihesha i frikësuar e i pasigurt. Në atë situatë emocionale, zgjodha të merrja një certifikatë vaksinimi, në vend që t’i kërkoja përgjigjet për shqetësimet e mia përmes rrugëve të duhura. Tani e kuptoj se kjo ishte zgjedhja e gabuar. Ishte një gabim dhe më vjen keq”, kishte deklaruar Xhaka.
Por dëshmia e fundit e mjekes shton një element të ri në këtë histori.
Blick e takoi Andrea L. të martën, në ordinancën e saj në Luzern, e cila vijon të jetë e hapur dhe të ushtrojë aktivitetin normalisht.
Mjekja tha se ditët e fundit kanë qenë të vështira dhe të mbushura me stres, ndërsa mohoi informacionet se ordinanca ishte mbyllur.
“Ajo që ka ndodhur gjatë ditëve të fundit është njëkohësisht befasuese dhe stresuese. Shpresoj që kjo çështje të marrë së shpejti një zgjidhje pozitive”.
“Unë vazhdoj të jem në dispozicion të pacientëve të mi. Ordinanca është sigurisht e hapur”.
Andrea L. shpjegoi edhe mënyrën se si ishte organizuar vaksinimi gjatë pandemisë së koronavirusit. Ajo kishte nisur të kryente vaksinime kundër COVID-19 në vitin 2021, në bashkëpunim me një farmacist të njohur.
Në fillim të vitit 2022, Xhaka e kishte kontaktuar për të marrë një certifikatë vaksinimi.
“Duke qenë se ai kishte tashmë antitrupa, vaksinimi i parë ishte planifikuar si dozë përforcuese”.
Sipas mjekes, Xhakës i duhej vetëm një dozë vaksine dhe ajo dozë, sipas saj, është administruar realisht. Pas vaksinimit, ajo i lëshoi futbollistit certifikatën përkatëse./
