Vazhdojnë reagimet e ashpra për “Katar 2022”, Belgjika: Futbolli bën ndryshimin

Katar 2022 vazhdon të krijojë polemika. Që pas zgjedhjes së shtetit aziatik për zhvillimin e eventit më madhor futbollistik në rang kombëtaresh Kupës së Botës, për vitin 2022, nuk ka munguar asnjëherë debatet për këtë zgjedhje nga ana e FIFA-s. Reagimet e ashpra janë shtuar sidomos pas lajmeve që kanë dalë se mijra puntorë kanë humbur jetën gjatë punimeve për të ndërtuar stadiumet në Katar që do të presin ndeshjet e Botërorit të vitit të ardhshëm.

Fillimisht reagimet e ashpra nisën në Norvegji ku klube të ndryshme i kërkuan federatës të mos merrte pjesë në eliminatoret për Katar 2022. Pas mesazhit që dha Norvegjia me nisjen e kualifikueseve kësaj nisme iu bashkua edhe Gjermania ndërkohë që sëfundmi ka reaguar edhe Belgjika. Para ndeshjes eliminatore ndaj Bjellorusisë të fituar me rezultatin 8-0, futbollistët belgë zbritën në fushë me fanella me mbishkrimin: “Futbolli mbështet zhvillimin”.

Vetë Federata Belge e Futbollit shkruan: “Ne në mënyrë aktive ngrihemi kundër racizmit dhe nuk po i shpërfillim problemet në Katar. Me këtë veprim simbolik, ne u bëjmë thirrje organeve ndërkombëtare dhe të gjitha federatave të futbollit që të bashkohen për të bërë hapin e madh. Ne kërkojmë me forcë që të përmirësohen kushtet e punës dhe të drejtat e njeriut në Katar. Futbolli ka fuqinë për të krijuar ndryshime pozitive, le ta përdorim atë fuqi tani”, lexohet në komunikatën e Federatës Belge të Futbollit.


Shtuar 31.03.2021 11:44