UEFA “fshin” emrin “Air Albania”, ja e vërteta

Shqipëria po bëhet gati për zhvillimin e finales së Ligës së Konferencës, pa dyshim një arritje historike për vendin tonë. Finalja e kompeticionit më të ri të UEFA-s do të zhvillohet në Shqipëri më 25 maj në orën 21:00 në stadiumin “Air Albania”. Por po të shikosh agjendën e kësaj finaleje, bie në sy që UEFA e ka “fshirë” emrin e stadiumit, pasi kudo shkruhet… “Arena Kombëtare”.

Emri komercial i stadiumit tonë nuk ekziston as në agjendën e publikuar nga UEFA për finalet në faqen e saj, as në biletat për këtë takim, por edhe mbishkrimi i stampuar në fasadat e tribunave është mbuluar me banerin “TIRANA FINAL 2022”. “Air Albania Stadium” është emri komercial i stadiumit për veprimtaritë sportive brenda Shqipërisë apo me protagonistë ekipet shqiptare kur luajnë ndeshje ndërkombëtare.

Stadiumi vazhdon të quhet “Air Albania Stadium”, por UEFA në veprimtaritë e saja ndërkombëtare nuk pranon emra komercial që nuk kanë lidhje me sponsorët e saj në ndeshjet që i organizon vetë ky institucion. Kjo është arsyeja pse UEFA ka “fshirë” emrin e stadiumit dhe në agjendën e finales së Ligës së Konferencës ata i referohen stadiumit me emrin “National Arena” (Arena Kombëtare).

Për këtë mund t’i referoheni edhe shembullit të “Allianz Arena” në Mynih që në njoftimin e UEFA-s për “Euro 2024” quhet “Fuseball Arena”, apo edhe për “Allianz Stadium” të Torinos për finalen e UEFA Ligës së Kampioneve për femra. /panoramasport/


Shtuar 19.05.2022 21:27