Shkon në 15 numri i kombëtareve të kualifikuara në Botëror, skuadra afrikane pret biletën për në Kupën e Botës 2026

Tunizia ka siguruar zyrtarisht një vend në Kupën e Botës FIFA 2026, pas një fitore dramatike 1-0 ndaj Guinesë Ekuatoriale, në një ndeshje elektrizuese të zhvilluar të hënën mbrëma.

Që nga minutat e para, takimi u karakterizua nga një ritëm i lartë dhe një lojë sulmuese nga të dyja skuadrat. Guinea Ekuatoriale u tregua e gatshme të përballej me “Shqiponjat e Kartagjenës”, duke krijuar disa raste të rrezikshme dhe duke mbajtur në presion mbrojtjen tuniziane.

Pjesa e parë përfundoi pa gola, por me një intensitet të madh që paralajmëroi një vazhdim edhe më të zjarrtë.

Në pjesën e dytë, Tunizia mori kontrollin e plotë të lojës. Seritë e sulmeve të njëpasnjëshme bënë që Guinea Ekuatoriale të tërhiqej në mbrojtje, duke u përpjekur të mbante të paprekur portën.

Kur gjithçka dukej se do të mbyllej me barazim, Mohamed Ben Ali Romdhane u shfaq si hero i mbrëmjes. Në minutën e 90+4-t, ai shfrytëzoi një rast të artë dhe realizoi golin e vetëm të takimit, duke çuar në delir tifozët tunizianë në stadium.

Ky gol i vonë jo vetëm që i dha Tunizisë tre pikë jetike, por edhe vulosi kualifikimin e saj për Kupën e Botës 2026, dy ndeshje përpara përfundimit të fushatës kualifikuese.

Me vendin në Botëror të siguruar, fokusi i Tunizisë tani zhvendoset tek përgatitja dhe harmonizimi i skuadrës, ndërsa kërkojnë të bëjnë një paraqitje të denjë në turneun më të madh të futbollit botëror.

Kështu Tunizia bëhet kombëtarja e 14-të që pret biletën për në “SHBA-Kanada-Meksikë 2026”, së bashku me Japoninë, Zelandën e Re, Iranin, Argjentinën, Uzbekistanin, Korenë e Jugut, Jordaninë, Australinë, Brazilin, Ekuadorin, Uruguain, Kolumbinë, Paraguain dhe Marokun.

Rezultati:

Guinea Ekuatoriale 0-1 Tunizia

Mohamed Ben Ali Romdhane (90+4′)


Shtuar 8.09.2025 18:15