Shënon dhe thyen rekordin e Gerd Myler, Harry Kane vendos “diktanin” në Gjermani

Nuk ishin brilant, por Bayern Munich vijon ecurinë e shkëlqyer në Bundesligë, ku përballë Këln siguruan fitoren e 10 në 12 ndeshje. Trajneri Thomas Tuchel i falet sërish Harry Kane, është ai lideri absolut i këtij ekipi, një investim 100 milionësh, por që po justifikon çdo cent.

Në çdo gol që shënon, “bomberi” anglez vendos një rekord të ri, kundër Këln, Harry Kane realizoi golin e tij të 18 në Bundesligë, 18 gola në 12 ndeshje janë një rekord absolut duke kaluar në këtë mënyrë edhe legjendën Gerd Myler, i cili në po kaq ndeshje kishte realizuar 17 gola.

Si rrallë herë, Bayern goditi vetëm 5 herë kuadratin, por prekja fituese erdhi në minutën e 20-të, ku Kane i vetëm në zonë dërgoi topin në rrjetë, një gol që në fund rezultoi një trepikësh pasi rezultati mbeti i pandryshuar. Kjo ishte një ndeshje ku në mënyrë befasuese, Tuchel nuk bëri asnjë zëvendësim, detaj ku u ndalën edhe gazetarët pas ndeshjes.“Ndeshja ishte gjatë gjithë kohës në ekuilibër, skuadra dominoi nga fillimi në fund. Nuk doja të ndërprisja ritmin. Vuajta disi në pankinë, për më tepër nuk është se kisha ide brilante”, u shpreh Tuchel pas ndeshjes.


Shtuar 25.11.2023 10:09

Tags: , , ,